Ministri Tahiri i përgjigjet akuzave të PD: Sukseset tona nuk mund t’i ktheni në akuza
Seanca plenare e kësaj të enjteje ka vijuar me një debat mes kreut të grupit të PD, Edi Paloka dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri mbi një arrestim VIP për trafik lëndësh narkotike.
“Islam Ymeraj është arrestuar me 75 kg drogë. Islam Ymeraj është djali i xhaxhait të Dionis Ymeraj, kreu i Tatimeve në Dibër”, ka thënë Paloka, i cili ka kërkuar sqarime nga ministri Tahiri.
Ministri Tahiri përgjigjur duke thënë fillimisht se, nuk ka dijeni për këtë arrestim, por nëse rezulton i vërtetë ajo është puna e policisë.
“Policia po vërteton edhe njëherë se nuk ka njerëz të paprekshëm. U informova se arrestimi që thoni ka ndodhur dy ditë më parë”, ka thënë Tahiri.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai ka thënë se, “sukseset tona nuk mund t’i ktheni në akuzë”.
Më poshtë fjala e ministrit të Punëve të Brendshëm Saimir Tahiri në seancën parlamentare:
Nuk kam ndonjë gjë të madhe për të thënë vetëm të jap një shpjegim për atë që tha zotëria (Edi Paloka). Nuk e di në fakt lajmin. Policia e Shtetit arreston shumë. Dhe, në qoftë siç thoni ju, më vjen mirë që ka ndodhur. Por unë nuk kuptoj si mund ta sillni këtu si provë të akuzave tuaja, kur në fakt s’e arrestuat ju, e arrestoi Policia e Shtetit! Në qoftë e vërtetë. Dhe në qoftë siç thoni ju, Policia e Shtetit sapo paska dhënë një provë të punës së saj për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. Në luftë kundër gjithkujt që shkel ligjin. Tani, sukseset tona të na i ktheni në akuzë, këtë vetëm ju mund ta bëni. E theksoj, në qoftë siç thoni ju, Policia e Shtetit sapo paska dhënë provën e radhës për punën që bën në mënyrë të pavarur, pa njohur njerëz me imunitet, pa njohur njerëz të paprekshëm. Ndaj do ju lutesha shumë të vlerësoni mirë, minimumi kursin logjik të politikës që bëni.Sepse jeni të vetmit në botë, opozita e vetme në botë që arrestimet që bën policia vini këtu dhe i thoni si akuza ndaj Policisë. Po tani në qoftë se Kryeministri është i lidhur me këta që trafikojnë drogën, në qoftë se unë jam i lidhur me këta që trafikojnë drogën: pse i arreston Policia? Se kjo dhe nuk bën sens. Kjo as ka sens logjik dhe aq më pak të ketë kuptim politik.
Ndaj mos e degradoni Parlamentin më shumë seç e keni degraduar dhe turpëruar para qytetarëve, me akte, me gjeste dhe mbi të gjitha me fjalë. Jeni më të zotë të bëni zhurmë, sherr në parlament se të dilni dhe të flisni këtu gjëra që nuk kanë pikën e kuptimit.
(Replika e dytë)
Në fakt është e kotë ta kthejmë në debat. Unë nuk dua ta kthej në debat. Nuk dua të kontribuoj në një diskutim shterpë, që më shumë thekson atë që bën mirë Policia, sesa konfirmon akuzat tuaja. Tani unë e kuptoj që opozita – opozitë është dhe duhet të bëjë politikë me të gjitha, pavarësisht se kjo shpesh shkon përtej moralit. Dhe thuajse shpesh apo në të gjitha rastet shkon kundër të vërtetës. Tani unë nuk arrij as ta besoj se si mund të mos gjeni dot një fjalë për të përgëzuar dhe për të përkrahur Policinë e Shtetit.
Unë nuk besoj që edhe ju i quani siç i quajti ish-kryeministri këtu, z. Berisha: banditë me uniformë, punonjësit e Policisë. Unë nuk e bëj dot. Po besoj që as ju se bëni dot. Po nuk arrij të kuptoj se si pas çdo aksioni që bën Policia ju gjeni motiv të na akuzoni po ne.
Pas çdo suksesi që bën Policia ju gjeni një arsye të na akuzoni po ne. Unë nuk e kuptoj se me cilën logjikë minimale mund të vini këtu dhe për një aksion që ka bërë Policia drejtoni gishtin te ne dhe thoni: është droga juaj. E para, të korrigjoj Drejtori i Tatimeve, Dibër nuk ka vëlla. E dyta, aksioni ka ndodhur pardje, jo sapo. Je dy ditë vonesë. Ka dalë dhe filmimi i aksionit. Janë arrestuar në një lokal. Kanë dalë dhe të gjithë emrat. Ndaj je dy ditë vonesë. 48 orë vonesë, që për opozitën është e pafalshme. Për ty mund të jetë normale, për opozitën është e pafalshme. Janë 48 orë vonesë.
Tani unë po të them, – që sigurisht ka njerëz që merren me drogën në këtë vend, – sigurisht ka njerëz që shkojnë përtej ligjit, shkelin ligjin, po çfarë leverdie keni ju, dhe ç ‘leverdi ka publiku të çoheni këtu dhe t’i drejtojini gishtin një ministri apo një kryeministri, sa herë një njeri kapet duke shkelur ligjin në këtë vend.
Çfarë kuptimi ka që ju të dilni në foltore dhe të vini emrin e një ministri apo kryeministri sa herë kapet dikush nga policia. Ç’kuptim ka që sa herë ndodh diçka që përbën sukses në punën e Policisë ju të gjeni gjithkënd për të përgëzuar përveç Policisë. Unë nuk ju kërkoj domosdoshmërisht t’i përkrahni punonjësit e Policisë së Shtetit por të paktën mos i sulmoni dhe hidhni baltë.
Siguria nuk është eksluzivitet i qeverisë, duhet të jetë sipërmarrje e jona. Keni tre vite në Parlament, flisni për monopole, për kleptokrat, për korrupsion. Doli raporti i TIA: ua tha shumë qartë që përpjekjet e Qeverisë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit janë kolosale. Keni renditjen e vendeve. Lexojeni dhe kuptojeni. Sa larg jeni me të vërtetën! Sa pa logjikë flisni dhe sa shumë baltë hidhni dhe nuk ndihmoni dot as publikun të kuptojmë të vërtetën që kemi, – me ç’kemi bërë deri më sot , -dhe sfidat që kemi në vazhdim.
Flisni për drogën, keni raportin e Komisionit Europian, ua tha fare qartë: Përpjekjet e Policisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë shumë të mira. Veçanërisht thekson raporti i KE, në luftën kundër kultivimit të paligjshëm të kanabisit . Keni raportet e DASH. Që ka artikuj në gazeta, pa asnjë diskutim, ka artikuj në gazeta. Që kjo ka qenë historike? Patjetër që ka qenë historike. Që është një problem, është një problem. Që po e zgjidhim ama këtë problem, kjo është e vërtetë. Ju nuk keni bërë asgjë për ta zgjidhur këtë problem. Pra, nëse në të kaluarën artikujt nëpër gazeta ishin se si autobotet e Ujësjellësit të Gjirokastrës shkonin në Lazarat dhe ujisnin kanabisin, sot artikujt në gazeta janë për luftën që po bën policia. Nëse më parë reportazhet e mediave ndërkombëtare ishin se si zjarrfikëset e Lazaratit shkonin dhe ujisnin Lazaratin, sot artikujt janë për luftën që policia bën kundër kanabisit. Dhe mos lexoni vetëm titujt, lexoni dhe atë që shkruhet.
Mos sponsorizoni shkrime në lloj-lloj gazetash, sepse nuk vlen. I bëni dëm vendit tuaj, mbi të gjitha.
E fundit, meqë po flas, kam dëshirë shumë sinqerisht, t’ju ftoj të mbani një qëndrim për një objektiv madhor që ka nisur MPB, që ka të bëjë me dorëzimin e armëve nga qytetarët shqiptarë. Është një faturë për të cilën, ju më shumë se kushdo në parlament mbani përgjegjësi direkte. Dhe unë besoj që ju më shumë se kushdo në këtë parlament mund të gjeni vullnet brenda jush për të zhbërë atë që i keni shkaktuar këtij vendi që nga 1997-a deri më sot. I keni lënë në duar popullit shqiptar armët që nga 1997-a. Me akte marrëzie politike, me akte kriminale nga njerëz që kanë qenë në detyrat më të larta shtetërore, duke filluar nga ish-Presidenti i Republikës, sot lideri juaj shpirtëror. Janë mbi 10 mijë qytetarët shqiptarë që kanë humbur jetën apo janë të gjymtuar me armët në këtë vend që nga 1997-a deri më sot.Jeni të shqetësuar për fatet e vendit? Jeni të shqetësuar për të ardhmen; jeni të shqetësuar për atë që do të ndodhë nga sot e tutje? Shumë mirë, bujrum. Ne po ndërmarrim një nismë për dorëzimin e armëve dhe për ta mbajtur Shqipërinë larg terrorit të armëve të paligjshme që u shpërndanë në vitin 1997. Dhe këtë faturë që Shqipëria e ka në kurriz për sot dhe për të ardhmen, falë jush dhe asaj që keni bërë gabim, hajde ta zgjidhim bashkë! Ne do e zgjidhim, por ju hajde bashkohuni me ne, ta zgjidhim këtë problem madhor, për sot dhe për fëmijët tanë. Kjo është mënyrë më e mirë për të treguar, ju më të parët, çfarë keni bërë gabim në të kaluarën, për të kërkuar një ndjesë. Dhe nuk po ju kërkon njeri të kërkoni ndjesë me fjalë. Por të paktën t’i thoni ndjesë atyre 10 mijë të vrarëve dhe të gjymtuarve nga armët e ’97-ës, duke punuar që nesër të mos ketë fëmijë, të rinj, të reja, asnjë shqiptar që të jetë nën rrezikun dhe terrorin e armëve të paligjshme që u shpërndanë në vitin 1997.
Ky është shërbimi më i mirë që mund t’i bëni vendit, ky është shërbimi më i mirë që mund t’i bëni dhe vetes suaj.
KOHA JONË SONDAZH

