Ministria e Brendshme reagon pas akuzave PD-së: Zëdhënëse e një ish-zyrtari të shpallur në kërkim

Ministria e Brendshme i është përgjigjur akuzave të opozitës, lidhur me luftë kundër drogës.

Pas një intervsite nga ish-shefi i antidrogës në Fier,  i shpallur në kërkim nga policia, i cili deklaronte se krerët e policisë ishin të përfshirë në trafikun e drogës, PD, përmes Flamur Nokës i ka kërkuar llogari qeverisë.

"Pushteti i bandave, mbrojtja e tyre, imuniteti dhe pakrekshmëria, tradhëtia që i është bërë policisë dhe oficerëve që kanë hetuar trafikun e drogës, është sot çështja më e mprehtë publike, është kauza e gjithë vendit. Ndaj qeveria, Ministri i Brendshëm, janë të detyruar të shpjegohen, të përgjigjen: Cilat janë bandat e trafikut të drogës në Vlorë? Pse lejohet aktiviteti i tyre? Cilat janë lidhjet e këtyre bandave me policinë e me qeverinë? A ka lidhje vet ministri me kete histori tradhetie dhe trafiku? Përse kanë dështuar aksionet për ndalimin e tyre? Kush e trafikon informacionin e oficerëve që luftojnë krimin, duke vënë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre në rrezik? Përse lejohet ky biznes kriminal dhe si ndahen paratë e drogës? Krerët e Policisë janë nën akuzë, qeveria dhe Ministri i Brendshëm janë nën akuzë. Heshtja e tyre vërteton implikimin e drejtpërdrejtë", akuzoi Noka.

Pas tij MB u është kundërpërgjigjur akuzave ku thotë se pas dy viteve rezultatet në luftën kundër drogës janë të dukshme.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia shqiptare në 2 vitet e fundit kanë arritur rezultate të pamenduara në luftën kundër narkotikëve, duke çrrënjosur njëherë e mirë konceptin e zonave të paprekshme, që për vite me rradhë ishin kthyer në “parajsa” të lulëzimit të hashashit me bekimin e pushtetit të kaluar.   

Nëse i konsideron vetëm disa rrënjë, mbi 630 mijë bimët e kanabisit të asgjësuara vetëm këtë vit nga Policia, në operacione nga Tropoja e Dukagjini e deri në Tepelenë e Korçë, ky është një problem të cilin nuk ia zgjidhim dot opozitës.

E vetmja trashëgimi e Qeverisë së kaluar, ishin hartat me fotografitë e ofruara nga Policia italiane për mijëra parcela droge anë e mbarë vendit, për të cilat nuk ishte lëvizur as gishti për t’i shkatërruar.

Sukseset e sotme të Policisë në luftën kundër drogës dhe krimit, tregojnë jo vetëm vullnetin e Qeverisë për të shënuar rezultate që qeveria e kaluar as i imagjinonte, por njëkohësisht tregon sa edhe sa të korruptuar, përtacë dhe protektorë të krimit kanë qënë ‎ata që e drejtonin deri dje Qeverinë, MB dhe Policinë e Shtetit.

Shprehim jo pa keqardhje faktin, që Partia kryesore e opozitës të shndërrohet në një zëdhënëse të një ish-zyrtari të shpallur në kërkim, i cili po gjykohet për dekonspirim të aksioneve të Policisë së Shtetit gjatë kohës që ishte në detyrë.

Ky nivel mund të jetë i denjë për lexuesin e saj, por nuk mund të jetë qëndrimi i opozitës, që zgjedh të bëhet palë me një person në kërkim, të arrestuar për dekonsipirim të aksioneve të policisë, dhe refuzon të mbështesë, qoftë edhe me heshtje, punën e madhe të Policisë dhe partnerëve në luftën e përditshme kundër krimit, paligjshmërisë dhe informalitetit.

SHKARKO APP