Ministrja e Financave fton deputetët të votojnë rritjen e pagave: Ndryshimi më i madh në politikën buxhetore
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj prezantoi këtë të enjte në Kuvend projektligjin për rritjen e pagave në institucionet publike, ndërsa ka ftuar deputetët ta votojnë.
Rritja e pagave të Presidentit, Kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe nëpunësve të administratës është ndryshimi më i madh që është bërë në politikën buxhetore, tha ministrja.
“Sot ndihem e privilegjuar që vij para jush me finalizimin e një pune të gjatë që solli një reformë të plotë të pagave në administratën publike. Besojmë se do të pasohet me rritje edhe në sektorin privat. Bazat e kësaj reforme nisën me rritjen e pagës minimale, që do të vazhdojë të rritet deri në vlerën 45 mijë lekë”, deklaroi Ibrahimaj.
Paga mesatare publike në vitin e ardhshëm pritet të arrijë në 900 euro, shtoi më tej Ibrahimaj.
“Kjo reformë nuk nisi nga hiçi. Kemi vite që punojmë për të. Por, duhet të plotësoheshin kushtet ekonomike që kjo reformë të zbatohet.
Rritja e pagave parashikon dhe indeksimin me inflacionin. Ky është ndryshimi më i madh që kemi bërë ndonjëherë i politikës buxhetore”, tha ministrja.