Ministrja Ibrahimaj: Tre kushtet që duhet të përmbushni për të fituar financim për Startup-in tuaj
Aplikimet për të përfituar nga thirrja me masa mbështetëse Grant 2024 për startup-et tashmë kanë nisur. Të gjithë të rinjtë që kanë një ide inovative, apo sipërmarrjet që kanë gati një produkt ose shërbim, të cilin duan ta nxjerrin në treg, apo të rrisin linjën e prodhimit, përgjatë gjithë muajit mars, mund të aplikojnë në “e-albania” për të përfituar financim nga fondi prej 300 milionë lekësh, që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion të nxitjes dhe zhvillimit të sipërmarrjeve të reja për këtë vit.
Që aplikimi juaj të jetë i suksesshëm, duhet të tregoni kujdes jo vetëm në plotësimin sa më të saktë të formularëve të kërkuar, por edhe përmbushjes së kushteve të vendosura për të përfituar financim nga ky grant.
Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj bën me dije: që një startup të jetë i financueshëm duhet që të përmbushë tre kushte.
“Mënyra se si do të vlerësohen projektet do të bazohet në tre shtylla kryesore. Në radhë të parë projekti i paraqitur për aplikim duhet t’i japë zgjidhje një problematike të caktuar. Pra duhet të ketë mungesë në treg dhe ky projekt do t’i japë zgjidhje. Nuk mund të jetë përfitues një biznes, që si ai, ka dhe të tjerë. Duhet të jetë autentik dhe t’i japë zgjidhje një problematike të caktuar. Shtylla e dytë është që duhet të jetë fitimprurës. Nga kjo thirrje nuk do të mbështeten projekte me qëllime sociale, edhe pse mund të jenë inovatore. Këto projekte mund jenë shumë të dobishme, por që janë për qëllime sociale dhe jo përfitimi. Dhe shtylla e tretë, është që projekti i paraqitur duhet të ketë një element inovativ, që mund të jetë një zhvillim teknologjik, por mund të jetë edhe një shërbim, një procesim i ri”, sqaron ministrja Ibrahimaj.
Startup-et janë sipërmarrje të reja që kanë në thelb inovacionin. Në thirrjen Grant 2024, mbështetja financiare për komunitetin e startup-eve, do të realizohet në tre fasha. “Për aplikuesit që në fazën e idesë, ne do të japim një mbështetje që shkon deri në 1.5 milionë lekë. Ndërsa për sipërmarrjet që kanë të paktën 1 vit që janë hapur dhe jo më shumë se 6 vite, ka dy fasha mbështetjeje, e para që shkon deri në vlerën 4.5 milionë lekë. Këtu bëjnë pjesë sipërmarrjet që kanë ideuar, dizenjuar një prototip të ri dhe që kërkojnë mbështetje për ta zhvilluar atë, dhe më pas për ta tregtuar. Për sipërmarrjet që e kanë zhvilluar prototipin dhe që kanë nisur ta shesin atë, por që kanë nevojë për një mbështetje për të rritur prodhimin, apo për ta ndërkombëtarizuar, do të ofrojmë deri në 9 milionë lekë”, sqaron më tej ministrja Ibrahimaj.
Për këtë vit, në total nga qeveria janë akorduar 300 milionë lekë, me të cilat synohet mbështetja e 50-75 sipërmarrjeve që do të përzgjidhen si fituese nga aplikimet e paraqitura.
Lidhur me procedurat, ministrja Ibrahimaj thekson se nuk ka asnjë limit moshe në aplikime, dhe se mbështetja e qeverisë nuk do lidhet vetëm me fushën IT, por edhe me inovacionin në shërbimin e ofruar, ose për një shërbim që nuk ekziston.
“Unë mendoj që do ketë shumë të rinj që do aplikojnë dhe profesionistë jo të rinj nga sektorë të ndryshëm. Këto kategori biznesesh në gjithë botën mbështeten në formën e granteve, kjo ndodh sepse kanë risk më të lartë dhe u mungojnë asetet. Synimi është që përveç granteve nga qeveria apo donatorët, të kryejnë edhe vetëfinancimin, që të mundësojnë kapital dhe të zhvillojnë sipërmarrjen e tyre”, thekson ministrja Ibrahimaj.