Ministrja Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër, siguri dhe kujdes shëndetësor për çdo vizitor
Gjirokastra po mirëpret çdo ditë e më shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, që zgjedhin ta zbulojnë bukurinë e qytetit historik gjatë verës.
Me rritjen e turizmit, shtohet edhe përgjegjësia për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.
Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “ekipet tona mjekësore janë aty 24/7 për çdo nevojë. Qendra Shëndetësore Verore në Gjirokastër është në funksion të plotë, ditë e natë, për të garantuar sigurinë dhe kujdesin shëndetësor për çdo vizitor”.
Almeda Kaluri, infermiere në këtë qendër shëndetësore verore tha se “është hera e parë që punoj në këtë qendër sikurse është hera e parë që kjo qendër është hapur në qytetin e Gjirokastrës kryesisht në zonën turistike dhe kalaja”.
“Këto ditë jemi hasur me raste të tilla si hipertension, pickime nga insektet dhe dehidratimi. Kemi dhënë ndihmën tonë të parë dhe patjetër këshillat që janë kryesorja. Këshillat tona për turistët sidomos për moshat e treta dhe gratë shtatzëna është të shmangin daljen në pikun e vapës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje”, tha Kaluri.
Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
KOHA JONË SONDAZH

