Ministrja: S’ka vend për panik nga meningjiti, situata nën kontroll

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini inspektoi sot punimet që vijojnë për ndërtimin e korpusit modern të Laboratorëve të Referencës Kombëtare pranë ISHP-së.

Gjatë vizitës në kantierin e punimeve në ISHP, ministrja Koçiu si dhe shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino folën për situatën nga meningjiti në vend. Koçiu nënvizoi se nuk ka vend për panik edhe pse prindërit me të drejtë shqetësohen. Për të autoritetet shëndetësore kanë marrë të gjitha masat që nga shfaqja e rastit në një shkollë në Durrës ku brenda 24 orëve janë kryer të gjitha, diagnoza, mjekimi, fillimi i gjurmimit, hetimit dhe fillimi i trajtimit të kontakteve.

Edhe mjekja Bino deklaroi se nga viti 2009 fëmijët janë vaksinuar për këtë sëmundje. “Ne kemi kryer profilaksi me antibiotikë për 99 persona, për pjesëtarët e ngushtë për të parandaluar nga ndonjë mbartës familjar përhapjen e mëtejshme. Kemi bërë dhe kontakte mesatare që janë klasa, mësuesit, punonjësit shëndetësor dhe për të gjithë këta është kryer profilaksia. Mundësia për t’u infektuar në klasa te kontaktet shkollore fillore është 1 në 13 mijë raste. Pra ne kemi shkuar shumë larg, deri në shkollat e mesme që shkon nga 1 person në 35 000 raste që mund të shfaqet. Pra për të patur një siguri maksimale e kemi zgjeruar profilaksinë e kontakteve në një shkallë shumë të madhe. Kështu që nuk ka nevojë për panik”, theksoi Bino.

Ministrja Koçiu theksoi se duhet vizita menjëherë tek mjeku i familjes për çdo shenjë dhe të mos neglizhohen simptomat. Për sa i përket ndërtimit të laboratorëve të rinj të ISHP-së, Koçiu tha se ky objekt do të sigurojë akomodimin e shtatë laboratorëve të rëndësishëm.

SHKARKO APP