Ministrja Xhaçka në Bruksel: Shqipëria, partner i besueshëm i BE-së. Të caktohet data për konferencën ndërqeveritare

”Shqipëria, partner i besueshëm i BE-së”, tha ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në takimin informal të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me Ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bruksel me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell në Bruksel.

Ministrja Xhaçka evidentoi progresin e Shqipërisë në procesin e Integrimit Europian, si edhe përkushtimin e qeverisë shqiptare në zbatimin e mëtejshëm të reformave të lidhura me agjendën evropiane. Ajo theksoi se Shqipëria është një partner i besueshëm i BE-së, përsa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke u linjëzuar plotësisht me vendimet dhe deklaratat e Bashkimit Europian në këtë fushë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet lejuar të shndërrohet në një dëm kolateral të krizës në Ukrainë, por duhet të përfshihet në iniciativat e përbashkëta evropiane për zgjidhjen e sfidave që dalin përpara”.

Vendimi për caktimin e datës së konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, sipas Xhaçkës do të ishte e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë transformuese të BE-së në rajon, për të mbajtur lart mbështetjen qytetare ndaj procesit të integrimit, si dhe për të rritur aftësitë për t’u përballur me ndikimin e aktorëve të tretë.

SHKARKO APP