Akuza e rëndë/Mjeku Erion Dasho: Dy vdekje në Tiranë pasi bënë vaksinën kineze!
Mjeku Erion Dasho thotë se kanë ndodhur dy vdekje të qytetarëve që janë vaksinuar me vaksinën kineze Sinovac. Dasho shkruan se njërin prej rasteve e ka hetuar vetë dhe personi ka humbur jetën vetëm 1 ditë pasi ka bërë vaksinën kineze.
“Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit të COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojnë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac deri sa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.
Kjo thirrje nuk ka aspak qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjesht është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakovigjilencës.
Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm! Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht”- shkruan mjeku Erion Dasho në Facebook.
Mjeku Dasho nuk ka dhënë emra se kush janë personat që kanë humbur jetën. Ndërkohë që institucionet nuk kanë dalë me deklaratë që e mohon apo pohon humbjen e jetës për shkak të vaksinës. Ndërkohë që rastet të cilat përmend mjeku në fjalë kanë nevojë për hetim të thelluar, pasi nuk duhet përhapur panik, nëse rastet nuk kanë lidhje me vaksinën kineze. Por ai ngre dyshimin se po.

KOHA JONË SONDAZH

