Pirro Milkani falenderon Veliajn: Gjest fisnik nga Bashkia e Tiranës. Lagjja ime ka ndryshuar për mirë
Mjeshtri i kinemasë, Pirro Milkani i pranishëm në takimin e kryebashkiakut Erion Veliaj me administratorët e pallateve, tha se është shumë i lumtur që tashmë pallati ku ai jeton. Ai tha se falë fondit të komunitetit të vendosur në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, ka një ashensor të ri dhe se ai në moshën që ka nuk është më i detyruar të ngjisë e të zbresë 50 shkallë çdo ditë. Regjisori Milkani vlerësoi investimin, si një kontribut të jashtëzakonshëm, sidomos për pensionistët, të cilët investimin e përfitojnë falas.
“E kam thënë dhe e përsëris publikisht që është një nga gjestet më fisnike që Këshilli Bashkiak, kryetari i Bashkisë, anëtarët e Bashkisë, ata që e duan Tiranën dhe Shqipërinë, japin një kontribut të jashtëzakonshëm dhe na transformojnë jetën në këtë pleqëri, në moshën tonë. Jam i lumtur që bashkë me gruan time dhe me disa familjarë të tjerë, që janë të moshuar, të moshës së tretë, të hipim e të zbresim si njerëz, me ashensorë, në ato shkallë të një pallati të cilin e duam me shpirt, por që është shumë e vështirë që t’i zbresësh çdo ditë 50 shkallë.
Unë kam vetëm falënderime të veçanta për kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, i cili ka vepruar dhe vepron në mënyrë të shkëlqyer në zbukurimin e Tiranës. Unë mund t’ju them që vetëm blloku nga shtëpia ime në rrugën “Mine Peza” deri tek ish-gazeta Zëri i Popullit, gjithë ai bllok, në këto 4-5 vjet, është punuar me themel për kanalizimet, tubacionet e ujit, për ndriçimin, për çdo gjë.
Lagjja ime, blloku im, ka ndryshuar si shumë blloqe të tjera të Tiranës e nëse do të vazhdojë kështu, pa diskutim që vota jonë do jetë dyfish më e madhe në zgjedhjet e ardhshme”, tha Milkani.