Monika Kryemadhi: Gëzuar ditëlindjen LSI!
Nga Monika Kryemadhi/
Ne lindëm si një Parti e Re, 14 vite më parë, në 6 Shtator të vitit 2004. U mblodhëm dhe themeluam Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse arroganca e atëhershme e kupolës socialiste ishte e padurueshme, ishte çdo ditë e më tepër jo socialiste, larg nga hallet dhe nevojat e mprehta të njerëzve të thjeshtë.
Ne u rrënjosëm menjëherë në popull dhe te njerëzit, pranë të përditshmes së tyre, pranë punës dhe shkollës. U lindëm si një forcë progresiste, për më shumë barazi ndërmjet shtresave të popullit, për më shumë shanse të barabarta në çdo qelizë të shoqërisë sonë që rrezikohej dhe rrezikohet edhe sot të përçahet, në Oligarkë dhe shërbëtorët e tyre harbutë dhe në mjeranë që kanë humbur shpresat në vendin e tyre.
Ne, LSI, jemi sot një parti e Shpresës, e mundësive sa më të barabarta dhe e Integrimit në familjen e madhe Europiane, që është një aspiratë e thellë dhe e patundshme e shqiptarëve. Jemi një grupim zemrash dhe mendjesh, jemi një përbashkim i energjisë pozitive, që kërkon më shumë punë në vendin tonë, më shumë drejtësi, më shumë shtet të shqiptarëve të thjeshtë, e jo të super pasanikëve.
Ne jemi një Parti, që nuk kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë Oligarkët dhe shpurat e tyre, ti mbiquajnë punëtorët dhe fermerët e thjeshtë me terma përbuzës.
JO!
E drejta e bukës dhe e drejta e punës, që është edhe e drejta e jetës, është zgjidhur që në Revolucionin Francez, mëse 200 vjet më parë! Dhe sot, në vitin 2018, nuk mundet askush, qoftë ky bir nëne apo kafshë me fytyrë njerëzore, që të përzërë shqiptarët nga Shqipëria, për një punë çfarëdo dhe për një pjatë supë, larg Atdheut, larg të dashurve, larg kujtimeve, larg varreve të të parëve.
Në vitin 2009 ne bashkëpunuam në qeverisje me PD-në, pavarësisht ndryshimeve ideologjike, për të nxjerrë Shqipërinë nga kaosi i zgjedhjeve të njëpasnjëshme politike, në një klimë të tensionuar dhe tejet të ashpër. Sepse vendi kishte si përparësi liberalizimin e vizave dhe ishte tashmë prej pak muajsh, anëtar i Nato-s. Ne shqiptarët duhet të dilnim nga getoja e radhëve të gjata e jo rrallëherë korruptive në dyert e ambasadave për të marrë një vizë.
Një bashkëpunim dhe një bashkëqeverisje, që do ta vlerësoja në vija të përgjithshme si të frytshëm, në reforma, në luftën kundër krimit të organizuar, në liberalizimin e vizave dhe në konsolidimin e detyrave të shtruara pas anëtarësimit në Nato.
Por nëse ne bashkëpunuam frytshëm me ish kryeministrin Berisha, nuk mund të them se arritëm rezultate të ngjashme pozitive me Rilindjen e Edi Ramës, që ishte një farsë, një fasadë dhe një maskë, për nënshtruar Partinë Socialiste dhe pastaj të gjithë shqiptarët.
Me PS-në ishim më afër ideologjikisht, por përse ta fshehim, kishim edhe nostalgjinë e kohës si ish-socialistë e themelues të dikurshëm, që në orët e para të lindjes së kësaj partie. Por PS-ja nën drejtimin e Ramës dhe të rilindasve, u bë edhe më arrogante dhe në vend që të qeveriste, mbushi vendin me drogë dhe vazhdimisht ideoi e organizoi vetëm kurthe, intriga dhe fushata të maskuara mediatike kundër LSI-së.
Sot që flasim, Rama nuk ka më asnjë alibi, nuk ka më asnjë justifikim për marrëzitë e tij dhe pangopësinë e padëgjuar të vendimmarrjeve të tija korruptive. Duke filluar nga shkurtimi i ndihmës së mjerë sociale, ndaj shtresës më të varfër dhe hallexheshë, te PPP-të dhe konçesionet e paturpshme, që po shkatërrojnë ekonominë, shtojnë pasurinë e disave dhe heqin shansin dhe bukën e gojës shumë të tjerëve.
Të gjithë ne, sot jemi të qartë që kemi përballë jo vetëm një qeverisje të dështuar, por edhe një regjim të mirëfilltë, që mbahet në këmbë nga bandat e drogës, nga bandat që vrasin dhe terrorizojnë qytetet shqiptare, në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe padyshim edhe në Tiranë, nga bandat e tenderaxhinjve, nga bandat e mediave të shitura.
Po ne kemi lindur dhe do të vijojmë të jemi një parti njerëzish guximtarë e trima, djem e vajza që kanë pasion dhe mision sfidën dhe që nuk u tremben nga bandat e mercenarëve.
Sepse kështu ka qenë dhe do të jetë:
“Nuk ka më frikacakë më të mëdhenj se sa mercenarët kur ndeshen me idealistët dhe nuk ka më trima në botë se sa Misionarët që kanë qëllim çlirimin e vendit tyre nga pengmarrja e rregjimeve! Në këtë rast nga rregjimi i Ramës!”