Mund ta dalin sot kandidatura për President
Komisioni i Ligjeve ka shtyrë mbledhjen e parashikuar për paraditen e sotme ku do diskutoheshin emrat e kandidaturave për president në raundin e parë. Mbledhja ishte parashikuar për në orën 10:00, por është shtyrë për në orën 17:00, një orë përpara seancës kur do të konsumohet edhe raundi i parë i votimit të zgjedhjes së presidentit.
Nuk dihet se çfarë po ndodh prapa perdeve, por kjo shtyrje nënkupton që në orët në vazhdim mund të dalin në skenë emrat e parë për postin e rëndësishëm. Këtë fakt e lënë për të nënkuptuar edhe Vasilika Hysi që drejton këtë komision.
Ajo u shpreh se mbledhja është shtyrë për pasdite pasi gjatë kësaj kohe mund të ketë kandidatura për presidentin e ri.
“Shtyrja e komisionit është bërë pasi gjatë kësaj kohe mund të ketë kandidatura”, tha Vasilika Hysi.
Sipas rregullores, Komisioni i Ligjeve shqyrton të gjitha kandidaturat që dalin, sa i përket plotësimit të kritereve të kandidatëve për president.
Kuvendi mblidhet sot në orën 18:00 në seancë plenare për të zhvilluar votimin e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Sipas Kushtetutës, në raundin e parë presidenti zgjidhet me votim me shumicë të cilësuar, me 3/5-n e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Në këtë raund pritet që nga maxhoranca të mos paraqitet asnjë kandidaturë, në përpjekje të gjetjes së mirëkuptimit me opozitën për një emër konsensual.

