Mustafa Nano: Erion Veliaj, pasuesi i Ramës

“Nëse Rama largohet sot Veliaj do të ishte sipas meje njeriu që do ta pasonte”. Kështu u shpreh sot analisti i njohur Mustafa Nano teksa u pyet për angazhimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në fushatën elektorale të Partisë Socialste.

Nano tha se Veliaj ka rënë në sy për një numër veprash në Tiranë dhe se është evidentuar si figura e dytë e PS.

Por, analisti vijoi më tej duke thë se “mendoj se Rama aty mund të jetë edhe më gjatë se mendohet”. Sipas tij nëse kryeministri Rama fiton një mandate të tretë do të vijojë të qëndrojë në PS për një kohë të gjatë.

Nano, më në fund opozita e zyrtarizoi koalicionin për zgjedhjet e 25 Prillit, madje në momentet e fundit ndryshoi dhe emrin nga “Shqipëria Fiton” në “Aleanca për Ndryshim”. Çfarë shihni ju si risi në këtë koalicion?

Nuk shoh ndonjë risi, shoh që përpjekja për të bërë bashkë koalicionin është finalizuar, nuk ka mbetur jashte asnjë faktor i rëndësishëm nga opozita. Nuk e di nëse kjo do të mjaftojë për të fituar.

Përfshirja e Bamir Topit në listat e Partisë Demokratike mendoni se do të ndikojë në rezultatin e Tiranës?

Unë u bëra kureshtar sepse duket edhe si situatë komike. Jam përpjekur të flas me njerëz që mund të kishin më shumë informacion se sa unë dhe i gjeta të gjithë të kapur në befasi. U shokova edhe nga koalicioni me PD dhe kjo është arsyeja që më befasoi. Fakti që Topi pas kolaicionit bën deklaratë dhe jep dorëheqjen e parevokueshme, nuk e kuptoj. Duhet të presim sqarim nga vetë ai.

Nga ana tjetër si e shihni kampin e majtë me përgatitjet për zgjedhjet dhe koalicionin që mund të krijohet?

Mund të thuhet se koalicioni është i vogël dhe është provë se është mirë brenda PS, ata që e udhëheqin janë të bindur se është i vetëmjaftueshëm. Duhet të presim zgjedhjet që nëse bindja e tyre është e bazuar apo jo. Është një situatë e lexueshme, por duhet që lista e tyre të jetë me kredenciale të mira. Por këtë herë PS nuk konkurron me njerëzit me potencial në lista, por me atë që ka bërë në këto tetë vite.

Kryebashkiaku Veliaj është angazhuar publikisht në fushatën e Partisë Socialiste për Tiranën? E shihni këtë si një provë gjenerale për zotin Veliaj në raport me karrierën e tij brenda Partisë Socialiste?

Nëse Rama largohej sot Veliaj do të ishte sipas meje njeriu që do ta pasonte. U bënë vite që ka drejtuar Tiranën dhe ka rënë në sy për një numër veprash. Ai është evidentuar si figura e dytë e PS. Por mendoj se Rama aty mund të jetë edhe më gjatë se mendohet. Nëse fiton mandatin e tretë do jetë aty për një kohë të gjatë. Nuk shoh rrezikun e ndonjë diktature, vetëm që ai do jetë gjatë aty.

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve foli sot për një mundësi të kufizuar të votimit të emigrantëve. Ju shihni një mungesë vullneti apo pamundësi për ta realizuar teknikisht si proces?

Të them të drejtën kërkesën për të përfshirë emigrantët e shoh si të kotë. Ne duhet të mësojmë të numërojmë votat e njerëzve që janë këtu dhe të realizojmë procesin brenda për brenda. Do isha i kënaqur me situatën që emigrantët të mos e kishin këtë të drejtë hë për hë dhe më vonë të ishte e natyrshme.

SHKARKO APP