Namik Dokle: Ambasadorët i shpenzojnë paratë për ministrat
Një ditë më parë, Komisioni i Jashtëm ka miratuar nen për nen projekt-buxhetin e Ministrisë së Jashtme për vitin 2017. Gjatë seancës, deputetët e maxhorancës ngritën si shqetësim se Ministria e Jashtme ka lënë pa fonde ambasadat shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka mundur të realizojë ceremoninë festive të festës kombëtare, raporton “Panorama”.
Deputeti socialist, Namik Dokle, tha se ambasadorëve duhet t’u jepet një zë i veçantë në buxhet, i cili të mos preket, por të jetë vetëm për pritjen e festës së 28 Nëntorit.
“A i kanë festat të gjitha ambasadat tona? Unë di një, që s’e ka bërë festën kombëtare dhe ambasadori më ka thënë që s’e kam bërë se nuk kam fonde.
Duhet të sigurohet një fond i posaçëm që të bëhet të paktën një festë modeste. Nuk mund të shkojë një ambasadë shqiptare të mos bëjë një pritje për festën kombëtare.
Ka rëndësi që Ministria të dijë se sa fonde duhet të ketë çdo ambasadë me atë 5 lekë që ka, sa persona mund të ftojë.
Mund të bëhet festë dhe me 20 veta, por ama bëhet. Ambasadori nuk mund të thotë kam 5 lekë. Ambasadorit duhet t’i thotë Ministria që ke kaq lekë të përcaktuar për festën dhe jo për karburant dhe jo për gjëra të tjera.
Pra, meqenëse është një problem që e konsideroj të rëndësishëm, çdo ambasador që në janar duhet të dijë sa fonde ka për 28 Nëntor dhe ato janë të paprekshme për gjëra të tjera.
Se pastaj ai i shkreti ça do bëjë, nuk ka, i shkon një ministër dhe do ta shëtisë tri ditë andej këndej, harxhon karburantin dhe s’ka lekë për festën”, ka deklaruar Dokle.
KOHA JONË SONDAZH

