NATO, Kodheli: Një nga arritjet më të mëdha për sigurinë e vendit
Shqipëria feston sot 7-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).
Në aktivitetin e organizuar në sheshin ‘Nënë Tereza’, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu.
Aktiviteti është i hapur edhe për qytetarët, të cilët panë nga afër mjetet dhe pajisjet më të reja të Forcave të Armatosura, ndërsa Bashkia e Tiranës ka dekoruar qytetin me flamuj.
Në paradë u ekspozuan disa nga asetet e Forcave të Armatosura, të Forcës Tokësore armatimi i ri, të Forcës Detare gomone dhe polumbarë dhe mjete të tjera të detarisë. Nga Forca Ajrore, u prezantuan 3 helikopterë, 2 Cougar dhe 1 i shëndetësisë. Nga Policia Ushtarake u paraqitën mjetet e blinduara, si dhe do ë ketë një ekspoze të mjeteve dhe pajisjeve të tjera në FA.
Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se “sot ushtarët shqiptarë japin kontributin e tyre në Afganistan e Irak. Tashmë, misionet paqeruajtëse janë kthyer në traditë të trupave ushtarake shqiptare. Jemi në gjendje të tregojmë vlerat më të mira të një force të armatosur”.
Ne vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.
E vlerësuar si faktor stabiliteti ndër vite në rajonin e Ballkanit, tashmë me një rol vendimmarrës, Shqipëria renditet përkrah partnereve te saj ne përballimin e sfidave te sigurisë globale.
Me misionet e saj ushtarake, vendi ynë është i rreshtuar në mbrojtje të paqes dhe lirisë në Irak e Afganistan, ç’ka u vlerësua edhe në samitin e Çikagos në majin e vitit 2012.
KOHA JONË SONDAZH

