NATO ndez dritat e kuqe, dërgon 40 mijë forca ushtarake në Poloni në kufi me Rusinë

Nga “Zëri i Amerikës”-

Pas një takimi urgjent të premten, NATO aktivizoi Forcën e saj të Reagimit të Shpejtë për herë të parë për të mbrojtur krahun lindor të aleancës ndërsa forcat ruse vazhdojnë sulmin ndaj Ukrainës.

NATO aktivizon Forcën e Reagimit të Shpejtë për mbrojtjen e krahut lindor
Një demokraci evropiane nën sulm, një aleat i NATO-s i sulmuar nga Rusia.

Evropa, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Japonia dhe Australia kanë njoftuar sanksione të forta kundër Rusisë, që kanë në shënjestër bllokimin e bankave të saj nga qasja tek euro dhe dollari dhe bllokimin e Kremlinit nga tregjet financiare perëndimore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Monedha e Rusisë arriti në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave kundrejt dollarit dhe bursa e Moskës ra me 40 për qind. Por a do të jenë të mjaftueshme këto masa për t’ia ndryshuar mendjen zotit Putin?

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nëse i analizojmë veprimet e deritanishme të zotit Putin dhe procesin e tij të vendimmarrjes, mund të shohim se ai i ka dhënë një përparësi më të lartë çështjeve të sigurisë sesa atyre ekonomike”, thotë Nora Müller, analiste e Fondacionit Körber.

Ukraina dëshiron mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake, të cilën NATO e ka përjashtuar.

“Trupat britanike dhe të NATO-s nuk duhet të luajnë një rol aktiv në Ukrainë”, thotë James Heappey, zyrtar britanik i mbrojtjes.

Krerët e vendeve të NATO-s zhvilluan një takim urgjent virtual të premten, në të cilin morën pjesë edhe Suedia dhe Finlanda, të cilat nuk janë anëtare të aleancës. Për herë të parë në historinë e aleancës, vendet anëtare aktivizuan Forcën e Reagimit të Shpejtë të NATO-s, duke mundësuar dislokimin e shpejtë të trupave dhe armatimeve për të mbrojtur aleancën.

“Aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur tashmë sanksione të forta. Dhe shumë nga partnerët tanë anembanë globit na janë bashkuar. Ne duhet të jemi gati për të bërë më shumë, edhe nëse kjo do të shoqërohej me kosto, sepse ky është një angazhim afatgjatë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Jashtë selisë së NATO-s në Bruksel, protestuesit kërkuan veprime më të ashpra.

“Ne kemi nevojë për ndihmë. Po luftojmë për të gjithë botën demokratike. Nëse nuk i ndalojmë në Ukrainë, ata do t’i afrohen Bashkimit Evropian”, tha Artemii Sattarov, protestues ukrainas në Bruksel.

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë ngadalësuar përparimin rus me ndihmën e armëve të dhuruara nga aleatët perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Por analistët thonë se ka një kufi për ndihmën ushtarake që Perëndimi mund të japë.

“Nuk është e thjeshtë që të dërgosh armatime, veçanërisht sisteme të ndërlikuara ushtarake, sepse njerëzit duhet të trajnohen për përdorimin e tyre. Dhe ne tashmë jemi përtej asaj faze”, thotë ekspertja Nora Müller.

Zemërimi ndaj veprimeve të Rusisë, dhe zhgënjimi me reagimin perëndimor, kanë shkaktuar protesta në qytete në mbarë botën, nga Londra në Pretoria, nga Amani në Buenos Aires.

Dhe brenda Rusisë, mijëra njerëz janë arrestuar në protestat kundër luftës.

Aleatët perëndimorë po shprehin solidaritet me Ukrainën, duke ndriçuar monumentet në të verdhë dhe blu, ngjyrat e flamurit ukrainas.

Këto janë gjeste simbolike, por Ukraina thotë se ka nevojë për armë, jo fjalë./VOA/

Ndërkohë gjenerali shqiptar Kollçaku tha për mediat se “NATO ka angazhuar dje forcën e saj të reagimit të menjëhershëm, është një forcë prej 40 mijë vetash, janë afër Rusisë. Nëse sulmohet një nga vendet e NATO-s vendoset në dispozicion artikulli i 5”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?