Ndalimi i koalicioneve/Mediu për ”KJ”: Nëse opozita e lejon, pranon grabitjen në tavolinë
Nga: Redjon Shtylla
Opozita politike thotë se duhet të vijojë puna pa humbur asnjë ditë kohë sepse sipas saj, është humbur shumë kohë për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes së 5 Qershorit. Situata politike është në pikun e saj. Tre marrëveshje politike por pa konsensus trepalësh dhe opozita politike bën thirrje që të mos tentohet që të ndryshohet Kushtetuta në mënyrë të njëanëshme.
Marrëveshja mes Partisë Socialiste dhe opozitës në Kuvend garanton në një farë mënyre miratimin e paktit të 5 Qershorit por vë opozitën reale, atë politike përballë faktit të kryer të hapjes së listave dhe ndalimit të koalicioneve.
Në një prononcim për “Koha Jonë”, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, thotë se nëse opozita pranon ndalimin e koalicioneve, do të thotë të pranojë grabitjen e zgjedhjeve në tryezë nga kryeministri Edi Rama. Thirrja e tij është që çdo marrëveshje duhet të përqëndrohet në ndalimin e krimit elektoral.
“Opozita nëse do të lejojë ndalimin e koalicioneve, do të thotë të pranojë grabitjen e zgjedhjeve në tryezë nga Rama. Prandaj çdo marrëdhënie politike e saj me shqiptarët dhe ndërkombëtarët duhet të përqëndrohet me ndalimin e këtij krimi elektoral”.