Ndahet nga jeta Senatori McCain. Meta: Shqiptarët humbën një mik të veçantë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka bërë një status ngushëllimi në Facebook pas ndarjes nga jeta të senatorit amerikan John McCain.

Ai e ka quajtur McCain, një hero lufte e patriot të madh që i shërbeu kombit të tij deri në vetëmohim. Kreu i Shtetit përmendi edhe kontributin e tij si mbështetës i çështjes së Kosovës dhe kauzës për pavarësinë e saj.

Statusi i plotë i Presidentit Meta:

Ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe.

Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan. Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të antarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.

Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për cështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë SHBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën. Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm.

U prehtë në paqe shpirti i tij!

SHKARKO APP