Ndërhyrja e policisë në ambientet e televizionit News 24, reagon MEKI: Është konform ligjit!

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në ambientet e punës së Focus Group, ku veprojnë televizionet News 24, Panorama, BalkanWeb dhe Gazeta Shqiptare.

Në një deklaratë për mediat, MEKI sqaron situatën në lidhje me çështjen e pronësisë dhe kontratën e qerasë për ambientet ku operon grupi mediatik, duke dhënë sqarime mbi statusin ligjor të hapësirave.

Ministria thekson rëndësinë e respektimit të rregullave ligjore në këtë proces dhe siguron se po monitoron situatën për të garantuar drejtësinë dhe transparencën.

Swiss Digital Desktop Reklama

DEKLARATA PER SHTYP E MEKI:

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në vijim të interesit të lartë publik dhe për sqarimin e opinionit mbi pretendimet e paraqitura nga Shoqëria “Fokus Media News” lidhur me të ashtuquajturën vazhdimësi të kontratës së qirasë deri në vitin 2033, bën me dije sa vijon:

Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Pasuria në fjalë është gjithashtu në pronësi të shtetit dhe ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, pasuria nr. 10/304, me sipërfaqe trualli 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë. Për këtë pronë ekziston një tjeter kontratë qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016 ndërmjet MFE, sot Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Panorama Group Sha. me kohëzgjatje deri në 2033.

Në dallim nga kjo, pasuria që i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ishte fillimisht e dhënë me qira në vitin 2002 për një afat deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke patur kundërpalë Shoqërinë “Focus Media News”.

Kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme.

Çdo përpjekje për të paraqitur këto pasuri si të njëjta ose të lidhura, përfshirë referencat ndaj kontratave të tjera të qirasë, përveçse e pabazë është edhe një dizinformim nga ana e një media-je që duhet të tregojë të vërtetën. Asnjë interes material i pronarëve nuk e justifikon keqinformimin!

Pra janë dy gjëra e dy kontrata krejt të ndryshme dhe kjo e dyta nuk ka asnjë ndikim mbi vlefshmërinë, legjitimitetin apo ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë që detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pasurisë së kaluar nga Këshilli i Ministrave shoqërisë “KAYO” sh.a., për realizimin e objektit të saj të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rikonfirmon se veprimet për marrjen në posedim faktik të kësaj prone janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendimet e gjykatave, si dhe se pasuria është e regjistruar qartësisht si njësi e veçantë pronësore, pa lidhje me asnjë pronë tjetër të dhënë me qira përmes kontratave të ndryshme.

MEKI mbetet e hapur për çdo sqarim e informacion në interes të informimit korrekt të opinionit publik dhe të gjithë të interesuarve.

DEKLARATA/ Shoqëria “Panorama Group” sh.a. denoncon bllokimin e paligjshëm të ambienteve dhe ndërprerjen e veprimtarisë: Kemi kontratë qiraje deri në vitin 2033!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?