Ndryshimi i Kodit Penal, Gjata flet për “KJ”: Uroj që dalja nga pandemia të mos na gjejë pa demokraci

Konstitucionalisti dhe kreu i Departamentit për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata analizon situatën e krijuar në Shqipëri që nga shfaqja e pandemisë së koronavirusit dhe menaxhimin e saj nga ana e qeverisë shqiptare.

Bisedoi: Herion Mesi

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Gjata rendit të gjitha vendimet anti-ligjore dhe antikushtetuese që qeveria “Rama” ka ndërmarrë që nga deklarimi i rastit të parë me virusin Covid-19.

“Nxjerrja e ushtrisë, lirimi i të burgosurve, apo ndryshimet me dënime drastike të stilit mesjetar, apo diktatorial të jo më larg se 30 vite më parë, vijnë të gjitha në kundërshtim së paku edhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Përsa i takon ndryshimeve në Kod, juristët nuk duhet të rrinë vetëm mbyllur në karantinë, por duhet të hapin një debat mediatik, pasi secili prej nesh, si çdo qytetar, jemi të rrezikuar nga këto ndryshime.”, thekson Gjata.

Gjata shprehet se emergjenca në vend është dy planëshe: shëndetësore dhe ekonomike, duke shtuar se Kryeministri ka “vjedhur”shumë ide të opozitës në marrjen e masave.

“Por, atë më të rëndësishmen, anullimin e koncesioneve, qoftë edhe për një periudhë kohe dhe përdorimin e atyre fondeve në ndihmë të qytetarëve, Kryeministri nuk ka për ta bërë, sepse është peng pikërisht i atyre, që kanë përfituar këto koncensione. Kjo pengmarrje konsiston në faktin që, njëra palë merr paratë, tjetra pushtetin. Për të mbuluar pikërisht këtë, ka çuar deri në absurd propagandën, ku na paraqitet si baba i kombit, si shpetimtar i mijra jetëve, apo dhe deri aty, si zoti i shqiptarëve. Enver Hoxha e ndaloi fenë, Edi Rama po ja kalon. Ai do të zëvëndësojë Zotin. Çfarë grotesku në kohë pandemie.”, shprehet Çlirim Gjata.

Intervista e plotë me kreun e Departamentit për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata 

Z. Gjata gjatë kësaj situate që krijoi pandemia, ju si opozitë jeni shprehur për testime masive dhe mungesë transparence. Si e shikoni planin e qeverisë për përballimin e krizës?

Emergjenca është dy planëshe: shëndetësore dhe ekonomike. Pra jemi para dy krizave, në atë të shëndetit dhe mbrojtjes së jetës së individit, që është akute; dhe në atë ekonomiko-financiare, që vetëm sa ka filluar të duket, por mund të sjellë më vonë pasoja po aq të rënda sa dhe pandemia.

Përsa i takon opozitës, kemi kërkuar, as më shumë e as më pak, atë që ka urdhëruar OBSH-ja, testimet. Kryeministri nuk po kundërshton thjesht opozitën shqiptare, pavarësisht si e paraqet në publik. Ai nuk po zbaton direktivat dhe kriteret e OBSH-së, të cilat kanë fuqinë e një konvente ndërkombëtare, e detyrueshme për zbatim në të gjithë botën, për raste të tilla. Është njëlloj si të shkelësh ligjet e luftës në kohë lufte.

Ndërsa kriza ekonomike është më e rënda deri tani dhe pritet të rëndohet akoma. Masat që po merr Kryeministri jo vetëm që janë një pikë ujë në oqean, por edhe kriteret me të cilat po zbatohen janë diskriminuese. Biznesi i vogël apo dhe ai pak i mesëm po shkojn drejt falimentit. Edhe për biznesin e madh, do përfitojnë vetëm një grusht oligarkësh të lidhur politikisht me pushtetin dhe Ramën, askush tjetër. Shikoni koncensionet, pse nuk ndërpriten dhe fondet e tyre të përdoren si masa financiare ndihmuese?!

Kryeministri ka “vjedhur”shumë ide të opozitës në marrjen e masave. Në fillim e sulmon, e shan, e fyen opozitën dhe pastaj i merr idetë e saj dhe i vë në zbatim. Por, atë më të rëndësishmen, anullimin e koncesioneve, qoftë edhe për një periudhë kohe dhe përdorimin e atyre fondeve në ndihmë të qytetarëve, Kryeministri nuk ka për ta bërë, sepse është peng pikërisht i atyre, që kanë përfituar këto koncensione. Kjo pengmarrje konsiston në faktin që, njëra palë merr paratë, tjetra pushtetin.

Për të mbuluar pikërisht këtë, ka çuar deri në absurd propagandën, ku na paraqitet si baba i kombit, si shpetimtar i mijra jetëve, apo dhe deri aty, si zoti i shqiptarëve. Enver Hoxha e ndaloi fenë, Edi Rama po ja kalon. Ai do të zëvëndësojë Zotin. Çfarë grotesku në kohë pandemie.

 

Ndërkaq, qeveria “Rama” ka marrë dhe disa vendime ligjore siç është ai për lirimin masiv të të burgosurve, gjobat e shumta ndaj qytetarëve të cilat pritet të ashpërsohen edhe me ndërhyrjet ligjore që ajo po parashikon të bëjë me ndryshimet në Kodin Penal. A kemi të bëjmë me vendime në shkelje të Kushtetutës dhe cënimit të të drejtave të njeriut?

 

Kryeministri ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore (GFN)-neni 174 i Kushtetutës. Jo gjendjen e jashtëzakonshme, pasi këtë të fundit e shpall vetëm parlamenti. Dhe GFN nuk shkon më shumë se 30 ditë, por mund të shtyhet me vendim të parlamentit. Gjithsesi GFN nuk e ka fuqinë e gjendjes së jashtëzakonshme, pavarësisht se, në thelb mund të duken të njëllojta. Masa e parë, që mori Kryeministri, ishte nxjerrja e ushtrisë në rrugë. Kjo vjen në kundërshtim me nenin Neni 173 të Kushtetutës, të cilin po ju a citoj copy-paste

 

  1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtë zakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
    2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.

 

Pra ky është një veprim i qartë antikushtetues i Kryeministrit. Momenti tjetër antiligjor është ai i lirimit të të burgosurve jo nga gjykata, por nga qeveria. Një masë e tillë mund të merret, por jo duke përjashtuar gjykatën. Mund të detajohen masa, se si procesi gjyqsor të jetë i tillë që të mbrohet shëndeti i zyrtarëve, që marrin pjesë në gjykim, po jo duke e përjashtuar si institucion. Gjykatat dhe prokurorët po trajtojnë masat e sigurimit, atëherë pse nuk qenkan në gjëndje të gjykojnë edhe lirimet nga burgu?!

 

Gjithashtu një masë tjetër alogjike është edhe ndryshimi që po kërkohet t’i bëhet Kodit Penal në emër të masave. E trajtuar thjeshtë, po diskutohet  se nëse del nga shtëpia pa leje në këtë kohë pandemie mund të ndëshkohesh penalisht përveç të tjerave edhe deri në 10 e 15 vite burg. Për mua kjo është groteske, por edhe e rrezikshme njëkohësisht.

Qeveria apo Kryeministri, kushdo qoftë, për shkak të gjëndjeve të emergjencës nuk mund të tejkalojnë kufizimet që ju vendosin Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare, që sa janë për pushtetin kufizime, janë të drejta, liri dhe demokraci për qytetarët, në kohë krizash të tilla. Ndaj dhe po ju citoj ketu edhe nenin 17 të Kushtetutës:

 

  1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.

 

  1. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Nxjerrja e ushtrisë, lirimi i të burgosurve, apo ndryshimet me dënime drastike të stilit mesjetar, apo diktatorial të jo më larg se 30 vite më parë, vijnë të gjitha në kundërshtim së paku edhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Përsa i takon ndryshimeve në Kod, juristët nuk duhet të rrinë vetëm mbyllur në karantinë, por duhet të hapin një debat mediatik, pasi seicili prej nesh, si çdo qytetar, jemi të rrezikuar nga këto ndryshime.

 

Si e shikoni daljen e shqiptarëve nga karantina?

 

Mendoj se i përket disa ekspërtëve të tjerë të flasin më hollësisht për këtë. P.sh. mjekëve, apo administratës shëndetësore. Po kështu edhe në ekonomi, po flasin ekonomistë të zotë përditë, por nuk po dëgjohen nga Kryeministri, i cili ka mungesë të theksuar dëgjimi në kohë normale, jo më tani. Shpresoj që kriza ekonomike e postvirusit të dëmtojë sa më pak qytetarët shqiptarë.

Përsa i takon demokracisë në vend, personalisht mendoj dhe shpresoj, që dalja nga pandemia të mos na gjejë pa të. Pra, që të gdhihemi një mëngjes të shëndetshëm, por në diktaturë. Kjo ka ndodhur një herë në vitin `44. E pra nuk është gjë tjetër veçse abuzim i pushtetit, ku në emër të jetës vendos diktaturën.

 

Këshilli i Europës në Dokumentin Informativ të 7 prillit 2020 vë theksin pikërisht te shkalla kufizimit të të drejtave dhe rrezikshmëria që vjen nga kjo për demokracinë. Ndaj po ju citoj një paragraf të shkurtër por thelbësor.

 

Sfida kryesore sociale, politike dhe ligjore, me të cilën do të përballen shtetet tona anëtare, do të jetë aftësia e tyre për t’iu përgjigjur me efikasitet kësaj krize, duke garantuar në të njëjtën kohë që masat që ato marrin të mos cenojnë interesin tonë të qenësishëm afatgjatë në garantimin e vlerave themeluese të Evropës për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.

SHKARKO APP