Në shtator.Reforma në drejtësi-Plani i Veprimit të ndryshimeve në Kushtetutë

 

 

Plani i Veprimit, i miratuar nga komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, parashikon një axhendë të ngjeshur pune përgjatë sesionit të ri parlamentar, ku në qendër do të jetë paketa e ndryshimeve kushtetuese, e lidhur kjo me mënyrën e funksionimit të disa institucioneve.

Sipas këtij Plani, ndërhyrjet në Kushtetutë parashikohet të nisin me ‘ridimensionimin e rolit të Presidentit në sistemin e drejtësisë” dhe me miratimin e një ligji organik ‘për presidentin e Republikës’.

Objektiv tjetër i reformës në drejtësi përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 është ridimensionimi nga pikëpamja kushtetuese i institucioneve që lidhen me gjyqësorin, si Gjykata e Lartë(GJL), Këshilli i Lartë i Drejtësisë(KLD) dhe Prokurori i Përgjithshëm, me synim kryesor garantimin e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe llogaridhënës.
Ky objektiv përfshin ndryshimet në Kushtetutë për shndërrimin e GJL në një gjykatë ligji, ku përfshihet juridiksioni, kompetencat, përbërja e saj, etj.

Po ashtu, Grupi i ekspertëve do të fokusohet tek ndryshimet kushtetuese që lidhen me rregullimin e përbërjes, mënyrës së emërimit të anëtarëve, përgjegjësitë dhe mënyrën e funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Të tjera ndryshime në ligjin themeltar të shtetit lidhen me forcimin e garancive për pavarësinë, integritetin dhe eficencën e sistemit të prokurorisë përmes rishikimit të formulës kushtetuese të emërimit, shkarkimit apo kufizimit të mandatit të Prokuorit të Përgjithshëm, si dhe rishikimit të mënyrës së organizimit të sistemit të prokurorisë.
Garantimi i pavarësisë dhe i efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese në këndvështrimin kushtetues është një tjetër objektiv i reformës në drejtësi, që synon të realizohet përmes përcaktimit të rregullave për procesin e emërimit të gjyqtarëve kushtetues.

Vendosja e kritereve të qarta kualifikuese për të garantuar një përbërje cilësore të Gjykatës Kushtetuese; shmangia e politizimit të procesit të emërimit dhe përbërjes së kësaj Gjykate; zhvillimi i seancave dëgjimore në funksion të rritjes së transparencës në procesin e emërimit, etj, janë disa nga pikat ku do të fokusohen ndryshimet kushtetuese në këtë rast. 

SHKARKO APP