Negociatat, Bregu: Gjakftohtësi përtej përdëllimit dhe “fshikullon” PD

”Drita jeshile në fund të tunelit të gjatë e të errët të ndarjes tonë shekullore nga Europa”,- e quan ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu rekomandimin e KE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Majlinda Bregu, ish-ministre e Integrimit në qeverinë e Partisë Demokratike është një ndër emrat e përfolur në media si drejtuese e grupit negociator të palës shqiptare në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Në një status në facebook, ish-deputetja e PD-së thotë se rikthimi i Shqipërisë në Europë ”është e vetmja urë, e vetmja shpresë, e vetmja degë e një pemë të gjatë përpjekjesh që s’u këput kurrë, pavarësisht tronditjeve dhe krisjeve të shqiptarisë sonë”.

Por, Bregu nënvizon se ky proces ka nevojë për progres gradual, strategjik, dhe të qëndrueshëm që të mundësojë sukseshëm kryerjen e negociatave të anëtarësimit.

”Do të ketë nevojë së pari për të shënuar progres dramatik në zbatimin e ligjit si shenja më bindëse e dëshirës tonë për të qenë europianë. Akoma më shumë do të ketë nevojë për gjakftohtësi përtej përdëllimit tonë të zakonshëm poetik apo vandalizmit politik; për zhdehje nga paranoiat me armiq të brendshëm e të përbotshëm”,-shkruan më tej ish-deputetja e PD-ja.

Pasi uron çdo shqiptar proeuropian për këtë lajm, Bregu fshikullon edhe elementë të opozitës.

”Ngushëllime të sinqerta edhe për ata vogëlsira politike apo profesionistë të shtjellave të marra, të cilët gjatë këtyre viteve, qëndrimin tim të pandryshuar PRO çeljes së negociatave e quajtën shkelje të parimeve të demokratit të denjë apo partiakut ushtar dhe sot ngrenë si të paqënë flamurin e luftëtarit më të denjë pro europian! Kushedi çdo të sjellin erërat për fatin e tyre të gremisur”,-mbyll reagimin e saj ish-ministrja e Integrimit.

R.SH

SHKARKO APP