Negociatat/Hahn takon Ramën: Shqipëria i ka bërë detyrat

Në Bruksel kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Komisionerin europian për Zgjerimin, Johannes Hanh. Në një prononcim për mediat, Hahn tha se vendi i ka plotësuar detyrat e dhëna nga BE-ja dhe sipas tij, pjesë tjetër është pjesë e problemeve të tjera të BE-së.

”Ne e konfirmojmë që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet. Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot sepse është agjenda e Këshillit Europian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë. Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillojnë sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë”.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama tha se Hahn e shprehu se qeveria i ka bërë detyrat e kërkuara. ”Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi. Kjo do të thotë që nga njëra anë, ne duhet ta kuptojmë qartë këtë situatë dhe nga ana tjetër ta vazhdojmë procesin e reformës, sepse, siç e tha dhe Komisioneri, nuk i bëjmë pse po na i kërkon Brukseli, Londra, Parisi, apo Berlini por i bëjmë sepse na i kërkon nevoja që t’u lëmë fëmijëve tanë një Shqipëri europiane, me institucione demokratike”.

SHKARKO APP