Nënkryetari Mazniku: “Jo vetëm gjoba për zaptuesit e hapësirave, por edhe detyrim për kthimin në gjendjen e mëparshme”

 

Bashkia e Tiranës ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave të zëna publike edhe përtej njësisë nr. 5, duke u përqendruar në zonën problematike në afërsi të rrugës “5 Maji”. Pas inspektimit të aksionit të sotëm të Policisë Bashkiake, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, u shpreh se lirimi i hapësirave publike do të vijojë në të gjithë qytetin.

“Policia Bashkiake dhe gjithë inspektoratet e tjera të bashkisë kanë vijuar kontrollin në të gjithë territorin, të vendosur që çdo hapësirë publike, e cila u takon qytetarëve, do të kthehet në shërbim të tyre, e gjithashtu për të pasur mundësinë që asnjë individ, person apo biznes, i cili përdor hapësirat publike, të mos i përdorë ato në mënyrë abuzive”, deklaroi Mazniku. Sipas tij, kjo është një çështje që kalon përtej të qenit një aksion i zakonshëm, pasi do të ketë masa sistematike nga ana e bashkisë.

Ai shtoi se masat do të ndërmerren pa ndërprerje, në mënyrë që qyteti të kthehet në normalitet dhe ku hapësirat publike të përdoren nga biznesi sipas rregullave të vendosura nga Bashkia, në përputhje me procedurat, kërkesat dhe pagesën e tarifave përkatëse. Në mbështetje të këtij aksioni, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës do të kalojnë disa masa të reja ndëshkimore. “Këto masa parashikojnë jo vetëm gjobitjen për personat, të cilët përdorin hapësirat publike apo dëmtojnë hapësirat publike, por edhe detyrimin ligjor për secilin prej këtyre individëve apo bizneseve, për të dëmshpërblyer dëmin e krijuar ndaj hapësirave publike dhe për t’i detyruar ata të marrin koston e rikthimit të këtyre hapësirave në gjendjen e mëparshme, në shërbim të qytetarëve”, theksoi Mazniku.

Për mënyrën e pagesës së detyrimit dhe kostot që do t’i ngarkohen vandalizuesve të hapësirave publike, do të jetë Këshilli Bashkiak që do të përcaktojë në mënyrë të detajuar këto çështje. “Ligji parashikon që, nëse një individ apo subjekt krijon një dëm ndaj hapësirave publike, jo vetëm që gjobitet për këtë çështje, por ka edhe detyrimin që të paguajë të gjithë koston e rikthimit të kësaj hapësire në gjendjen e saj të mëparshme, në shërbim të qytetarëve”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Interesimit të medias nëse aksioni për lirimin e hapësirave publike është zhvendosur përtej njësisë nr. 5, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës iu përgjigj: “Aksioni tashmë, ka filluar në disa zona dhe do të vijojë të shpërndahet në mënyrë sistematike në të gjithë sipërfaqen e Tiranës, në mënyrë që kudo ku ka hapësira që janë përdorur në mënyrë abuzive apo dëmtuar nga bizneset, të rikthehen në shërbim të qytetarëve”.

Në dy javët e para të aksionit për lirimin e hapësirave në njësinë nr. 5, Policia Bashkiake ka vendosur mbi 300 gjoba për individët a bizneset që kanë ndotur, zaptuar apo vandalizuar hapësirat publike.

SHKARKO APP