Nesër cilin grup parlamentar, si PD, do të regjistrojë Kryesia e Kuvendit: Berishën apo Alibeaj?

Nesër nis sesioni i ri parlamentar. Sipas Rregullores së Kuvendit deputetët vetdeklarohen se në cilin grup parlamentar duan të futen. Dhe bëjnë deklaratë me shkrim tip formulari. Për PS nuk ka asnjë surprizë, por mbetet të shikohet nëse Kryesia e Kuvendit do të njohë si kryetar të grupit parlamentar te PD, Luçiano Boçin apo Enkelejd Alibeaj.

Berisha si kryetar i PD-së ka deklaruar se deputeti Luçiano Boçi do të jetë ai që do të përfaqësojë grupin parlamentar të PD. Ndërkohë vulën e PD dhe financat i ka Enkelejd Alibeaj me mbi 20 deputetë demokratë. Edhe Alibeaj ka dërguar në zyrën e Lindita Nikollit shkresën se ai do të jetë kryetar i grupit parlamentar të PD.

Nuk dihet se cilin do të regjistrojë Kuvendi por nisur nga lufta ndaj Berishës nga Kryeministri dhe SHBA, gjasat duken se Enkelejd Alibeaj do të njihet formalisht nga mazhoranca.

Kjo do të sjellë përçarje edhe më të madhe në PD. Gjykata e Apelit akoma nuk ka dhënë vendim se kujt i përket emri PD, selia dhe sigla. Informacionet thonë se do t’ia japin Alibeajt, ndonëse elektoratin demokrat e ka Berisha.

Edhe tre deputetët e ish-LSI, tashmë PL, do të duhen të marrin deputetë borgj nga Berisha që të njihen si grup parlamentar. Për të krijuar një grup parlamentar nevojiten 7 deputetë.

SHKARKO APP