Nesër votimi për kreun e ri të AMA-s, PD: Rama zyrtarizon zëdhënësen e PS-së

Përmes deputetes së zgjedhur, Albana Vokshi, Partia Demoratike ka bërë sërish një paralajmërim lidhur me garën që po zhvillohet për kreun e Autoritetit të Medias Audiovizive. Nga selia blu, Vokshi tha se votimi për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni do të zhvillohet nesër dhe fituesi është paracaktuar. Për të drejtuar këtë institucion sipas PD-së është zgjedhur Armela Krasniqi, e cila aktualisht mban postin e drejtoreshës së ATSH-së.

Deklarata e plotë

Është koha që Edi Rama të tërhiqet nga vendimi antidemokratik për të kapur Autoritetin e Medias Audiovizive përmes zëdhënëses së tij. Votimi i parashikuar nesër në orët e fundit të këtij parlamenti ilegjitim është kthyer në shqetësim për Reporterët Pa Kufij.

Në reagimin e sotëm, organizata kryesore në mbrojtje të gazetarëve vë në dukje se ky vendim po merret pa opozitën, përpara nisjes nga puna të parlamentit të ri.

Është e papranueshme për standardet demokratike që zëdhënësja e Edi Ramës të emërohet në krye të një institucioni të pavarur, veçanërisht, kur qeveria nuk ka hequr dorë akoma nga ligji i censurës që dënon gazetarët me burg.

Nesër është dita që qeveria të tërhiqet dhe të mos i nxijë më shumë imazhit Shqipërisë si vendi ku gazetarët dënohen me burg, liria e medias është në rrezik dhe demokracia akoma më e kercënuar nga nje regjim autoritarist që qendron në pushtet me votë të vjedhur

SHKARKO APP