Nesër votohet për kreun e ri të LSI, Luan Rama: Me parimin ‘një anëtar, një votë’

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në një deklaratë drejtuar mediave nënvizoi edhe njeherë se zgjedhjet për kryetar dhe delegatë do të bëhen me parimin një anëtarë një votë. Ai theksoi se në dispozicion të votuesve do të jenë 225 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë.

“Rreth 5 mijë kandidatë për të zgjedhur 2400 delegatë. Deputetët, ministrat, këshilltarët dhe kryetarët e bashkive drejtpërdrejtë delegatë. Mbi 50 mijë anëtarë të LSI pajisen me kartën e re të anëtarësisë.”, bëri të ditur Rama.

Në garën për kreun e ri të LSI marrin pjesë kryetari aktual i kësaj force, Ilir Meta, përball akademikut Shezai Rrokaj dhe deputeti Përparim Spahiu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Prononcimi i plotë për median i Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, z. Luan Rama:

Swiss Digital Mobile Reklama

Luan Rama, nesër partia ku ju bëni pjesë angazhohet në zgjedhjen e kryetarit të ri të LSI. Si janë pritshmëritë edhe të votimit fillimisht, por edhe si ka qenë organizimi i këtyre zgjedhjeve?

Siç e shihni, i gjithë mjedisi i LSI-së është në punë për të bërë mbylljen e përgatitjeve për zgjedhjet që do të mbahen nesër. Në të gjithë Shqipërinë nesër do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e LSI-së, por gjithashtu do të votohet duke zgjedhur me votim të fshehtë, sipas parimit ‘një anëtar një votë’, edhe të gjithë delegatët që do të përfaqësojnë strukturat e LSI-së në Konventën Kombëtare Zgjedhore që do të mbahen në muajin dhjetor.

Më lejoni t’ju shpjegojë që për të realizuar një proces korrekt dhe të lirë të zgjedhjeve nesër, në të gjithë Shqipërinë janë hapur 225 qendra votimi për të bërë të mundur që të gjithë anëtarët e LSI-së të shkojnë për të votuar. Ndërkaq më lejoni të konfirmoj që e gjithë kjo fushata e zgjedhjeve është fokusuar në mënyrë të veçantë edhe tek rikonfimimi i anëtarësisë, sepse ne kemi shpërndarë kartat e reja të anëtarësisë.

Dhe në këtë moment që flasim më rezulton që të ketë kaluar mbi 50 mijë numri i atyre që kanë aplikuar dhe kanë marrë kartën e re të anëtarësisë. Që do të thotë se të gjithë këta, pra mbi 50 mijë që është numri i anëtarëve të LSI-së të rikonfirmuar, duhet të marrin pjesë nesër për të votuar për kryetarin dhe për delegatët e konventës.

Ndërkaq, dua të sqaroj se pavarësisht këtij numri, janë një masë tjetër anëtarësh të LSI-së që për arsye kohe apo për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë mundur të aplikojnë për t’u pajisur me kartën e re të anëtarësisë. Ata do të paraqiten pranë qendrave të votimit, dhe me një listë tjetër votuesish do të votojnë duke paraqitur kartën e vjetër të anëtarësisë apo një dokument që provon që ata kanë aplikuar për ta marrë kartën e re dhe nuk e kanë marrë ende, në mënyrë që votuesit e anëtar të LSI-së të kenë të gjithë të drejtën dhe mundësinë për të votuar dhe për të bërë zgjedhjet e tyre.

Dua të shpjegoj edhe një gjë: janë rreth 5 mijë emra që do të votohen nesër për të nxjerrë nga këta rreth 2500 delegatët e Konventës Kombëtare Zgjedhore. Duke respektuar në mënyrë rigoroze parimin e barazisë gjinore, pra 50 % e këtyre që do të zgjidhen do të jenë nga radhët e LGI-së dhe 30 % të tjerë do të jenë emra që janë propozuar dhe do të përfaqësojnë strukturën e LRI-së në Konventën Kombëtare Zgjedhore.

Në këtë numër, pra në rreth 2500 delegatë nuk bën pjesë një numër delegatësh që vjen “ex officio” në Konventë, siç janë të zgjedhurit deputetë, të zgjedhurit kandidatë bashkish, të zgjedhurit në Këshillat e Bashkive, të cilët për shkak të mandatit të përfaqësimit që kanë si të zgjedhur nga populli në bazë të statutit janë automatikisht përfaqësues apo delegatë në Konventën Zgjedhore.

Kandidatë për kryetar të LSI-së janë tre në garë, si mendoni se do të jetë konkurrenca mes tyre, në bazë të atyre që ata ofrojnë dhe në bazë të zgjedhjes që do të bëjnë vetë anëtarët e LSI-së?

Të drejtën për të ndarë, vendosur dhe për të zgjedhur e kanë anëtarët e LSI-së me të gjithë përgjegjësinë që ka vota e tyre, e cila do të administrohet nesër në kutitë e votimit.

Ajo që unë mund të them dhe që përbën një vlerë të konsoliduar tashmë për strukturat e LSI-së, ka të bëjë me garën, me ballafaqimin e qëndrimeve, të opinioneve shpeshherë të kundërta. Ju i keni ndjekur që të dy kandidatët e tjerë në garë, z. Rrokaj dhe z. Spahiu kanë zhvilluar takime të shumta, kanë paraqitur platformat e tyre me qëndrime të kundërta nga çfarë ka qenë qëndrimi që mban z. Meta apo qëndrimi kanë mbajtur deri tani strukturat drejtuese të LSI-së, duke e fokusuar gjithë fushatën te ballafaqimi i qëndrimeve dhe opinioneve të kundërta. Pastaj rezultati natyrisht është e drejtë dhe përgjegjësi e votuesve, të cilën do ta mësoni nesër pasi të ketë mbaruar procesi i votimit.

Nga ky moment e deri nesër sa të mbyllet procesi i votimit, ne jemi të hapur për të komunikuar me mediat për gjithçka ka të bëjë me zgjedhjet ashtu sikundër keni të gjithë aksesin për të qenë pranë çdo qendre votimi dhe pranë do strukture ku nesër votohet apo administrohet procesi zgjedhor në mënyrë të respektimi të transparencës ndaj publikut dhe të respektimit të të drejtës së medias për të qenë e pranishme në çdo hap të procesit zgjedhor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?