Nga Moska në Beograd one-way ticket, dhjetëra mijë rusë janë vendosur në Serbi. 1 mijë firma private u registruan në shtetin serb
-“A po pushtojnë rusët Beogradin?”, pyeste në prill 2022 gazeta bulevardeske Blic. “Rusët po blejnë banesa dhe shtëpi pushimi dhe as që duan t’ia dinë për çmimet”, shkruhet në artikullin e Blic. Sekserët e pasurive të patundshme në Beograd janë dyfishuar që pas sulmit rus ndaj Ukrainës-
Dhjetëra mijë rusë që nga fillimi i luftës së Putinit kundër Ukrainës janë vendosur në Serbi – ndonëse shumë serbë e mbështesin politikën e Moskës dhe qeveria në Beograd nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.
Qendra e fqinjësisë “Krov” ndodhet në një apartament të ngushtë nën çatinë e një ndërtese në qendër të Beogradit. Dhoma kryesore e veshur me dru të kujton një qilar party-sh si në vitet 1970 në Gjermaninë Perëndimore. Normalisht këtu takohen aktivistë të nismave kulturore në kryeqytetin serb. Sot këtu janë ulur rreth 30 gra e burra të rinj rus në karrike portative në një skenë të improvizuar. Flitet rusisht. E kush ka dëshirë i jepet një mikrofon dhe lejohet të këndojë.
“Unë kam ardhur këtu në prill nga Moska”, thotë në bisedë për DW Ilya Piksner, i cili ka organizuar takimin “Open Mic”. „Kam ardhur me një biletë me një drejtim, one-way ticket, bashkë me bashkëpunëtorët e mi dhe macen.” Bashkë me aktoret Illy menaxhon një studio inçizimesh, që prodhon materiale radifonike që nga muzika e deri tek reklamat. “Që nga sulmi ndaj Ukrainës më 24 shkurt situata në Rusi është bërë gjithnjë e më e padurueshme. Ne na u desh thjesht të largohemi.”
Menjëherë pas invazionit Illy me shokët e kolegët ndihmonin nga studioja e tyre përmes Telegram dhe të tjerave shërbime messenger ukrainasit e kërcënuar që të largoheshin nga kryeqyteti rus. “Njëri prej nesh p.sh. ka ndihmuar përmes chat-it një vajzë të re, duke i mësuar asaj si të ngasë makinën, në mënyrë që ajo të mund të largonte familjen e vet nga zona e luftës. Nëna e saj kishte pësuar një atak paniku dhe nuk mund ta ngiste vetë makinën.” Të tilla aktivitete konsiderohen si tradhëti në Rusinë e Putinit, dhe tradhëtarët kërcënohen me dënime disa vjeçare.
Megjithatë Ilya nuk mund të rrinte indiferent pa ndërmarrë asgjë kundër luftës në Ukrainë. “Ky konflikt është për mua shumë, shumë pranë”, shpjegon ai,”shumë miq e kolegë të mi janë nga Ukraina, të afërmit e tyre jetojnë atje, disa madje kanë pasaporta ukrainase. Unë duhet t’i ndihmoj këta njerëz. Por pas pak javësh u bë e qartë, që aktivitete të tilla në Rusi janë me rrezik. “Frika, që dikur ndokush mund të na trokasë në derë, shtohej dita – ditës. Regjimi që pas aneksimit të Krimesë më 2014 është bërë gjithnjë e më agresiv. Eshtë e qartë, që tani që Putin po bën luftë, situata po bëhet edhe më keq.”
Mbi 1000 rusë themelues firmash
Por përse zgjedhin ata pikërisht Serbinë?
Qeveria në Beograd ndonëse e ka dënuar luftën sulmuese të Rusisë, nuk ka mbështetur vendosjen e sanksioneve kundër regjimit në Moskë. Një pjesë e madhe e opinionit serb ndihet e lidhur me Rusinë për shkak të gjuhës sllave dhe besimit të përbashkët ortodoks, e nuk është vetëm e djathta ekstreme në Ballkanin Perëndimor që e mbështet hapur luftën e Putinit.
Megjithatë që nga fundi i shkurtit vlerësohet se në Serbi janë vendosur 30.000 deri në 50.000 shtetas rusë. Të dhëna zyrtare nuk ka, por është e sigurtë, se që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës dhjetra mijëra rusë kanë hapur llogari bankare në Serbi. Po ashtu mbi 1000 firma, me pronarë që kanë pasaporta ruse, janë regjistruar pranë Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë së Serbisë, shumica e tyre në sektorin e Tekonologjisë së Informacionit.
Udhëtim pa vizë
“Unë vendosa të vij në Serbi, sepse është një ndër të paktët vende, ku rusët lejohen të udhëtojnë pa vizë”, shpjegon Katya Khazina. “Por pavarësisht kësaj është paksa skizofreni, që kundërshtarët e Putinit vijnë pikërisht në vendin, ku shumë njerëz e mbështesin regjimin e Rusisë”, thotë moskovitja 34-vjeçare. “Por unë e duroj këtë, sepse e di që kjo nuk është asgjë krahasuar me vështirësitë, që u duhet njerëzve të përballojnë për t’iu shpëtuar luftimeve në Ukrainë.”
Në Rusi Katya punon në një shtëpi botuese që merret me problemet e gruas. Prej vitesh ajo ka protestuar rregullisht kundër regjimit të Putinit. Në Beograd aktivistja i është bashkuar organizatës joqeveritare „Gratë me të Zeza”, që qysh nga vitet 1990 proteston kundër luftrave në Jugosllavi dhe që nga shkurti protestojnë edhe kundër luftës së Rusisë në Ukrainë. Edhe përkrahësit serbë të Putinit demonstrojnë rregullisht – për luftën e Moskës dhe një fitore të Rusisë.
“Mungesë njohurish për Rusinë”
“Raportet e serbëve ndaj Rusisë janë të çuditshme”, shpjegon Katya. Faktikisht në Serbi shumë pak e mësojnë rusishten, pothuajse askush nuk ka qenë ndonjëherë në Rusi. “Serbët nuk i dinë as shumë paragjykime që kanë shumë rusë ndaj tyre, që p.sh. i përjetojnë ata si punëtorë shumë të ngadalshëm në furnizimin e ushqimit, apo që jetojnë në një standard shumë të ulët.” Dashuria e shumë serbëve për Rusinë konsiston kryesisht tek „mungesa e njohurive për jetën në Rusi – pa folur këtu për represionin, brutalitetin, që ushtron regjimi rus jo vetëm në Ukrainë, por edhe kundër shtetasve të vet, e po ashtu se sa masive është propaganda”.
Nga shumë bashkatdhetarë në Beograd Katya nuk pret ndonjë gjë. „Në protestat që ne organizojmë vijnë rregullisht rreth 50 apo maksimumi 100 rusë nga ata që jetojnë në Beograd”, i tha ajo DW-së. “Shumica e rusëve kanë ardhur në Serbi, sepse atyre nuk u funksionon më Spotify dhe Netflix në shtëpi”, shton ajo e zhgënjyer. „Ndër ta ka shumë njerëz apolitikë.”
Faktikisht grupi i facebook-ut “rusët, ukrainasit, bjellorusët dhe serbët bashkë kundër luftës” ka vetëm 3624 anëtarë. “Megjithatë, shpjegon menaxhuesi i grupit Peter Nikitin, “shumica në grupin tonë vijnë ose nga Serbia ose nga vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.” Qëllimi i pranisë në facebook është në radhë të parë, që të informojë opinionin serb për aktivitetet me pjesëmarrjen edhe të rusëve kundër luftës në Ukrainë.” Nikitin e quan këtë “Contra-Propaganda”.
Opinioni serb e ka mjaft të nevojshme të ketë informacione për rusët dhe Rusinë, sepse krahas rusofilisë së përhapur në masë, në Beograd shpejt takon edhe njerëz që kanë një aversion të thellë kundër gjithçkaje që ka të bëjë me ish-Bashkimin Sovjetik. Kamarieri në restorantin “Mala Slavija” thotë, se i „urren njësoj si rusët edhe ukrainasit”: “Ata nuk dinë të sillen dhe mendojnë, se meqënëse kanë shumë para mund t’i lejojnë vetes gjithçka që duan”, thotë ai. Ai madje as që do ta besojë, se në Serbi ka edhe shumë nga shtetet post-sovjetike, të cilët nuk i përkasin kësaj kategorie njerëzish.
Shumë serbë gjithashtu nuk e pëlqejnë faktin, se të sapoardhurit nga Rusia po e ngarkojnë tregun e banimit. Serbia është vend i vogël krahasuar me Rusinë, shumica e serbëve pas fundit të „ekzistencës së socializmit real” i blenë banesat dhe banojnë vet në to. Që përpara fillimit të luftës në Ukrainë në Beograd qiratë kanë qenë të larta.
“A po pushtojnë rusët Beogradin?”, pyeste në prill 2022 gazeta bulevardeske Blic. “Rusët po blejnë banesa dhe shtëpi pushimi dhe as që duan t’ia dinë për çmimet”, shkruhet në artikullin e Blic. Sekserët e pasurive të patundshme në Beograd janë dyfishuar që pas sulmit rus ndaj Ukrainës.