Nga nisma për shkarkimin e Metës te grupi kundër Bashës, Ivi Kaso: Po bëhen për të hequr vëmendjen nga krimet e ‘25 prillit’, ja hapat që do të ndjekim
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, foli në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për procesin zgjedhor dhe hapat që do të ndjekë PD, nëse ankimimet e bëra në SPAK prej tyre nuk do të jenë sipas pritshmërisë së tyre.
Gjatë intervistës, Kaso u ndal edhe te disa nga çështjet më të zëshme të aktualitetit politik, si nisma e PS për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, te grupi në PD, që kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kryetar partie.
Pjesë nga intervista:
Çfarë ka në ato dosje që keni dërguar në SPAK?
Është betejë për të ardhmen e Shqipërisë, përveçse betejë për të shkuarën për këtë proces zgjedhor, pasi u përballëm me një model, që për fat të keq është çimentuar në vendin tonë. Vetë ODIHR ka bërë thirrje në zgjedhjet e fundit që të ndahet përdorimi i burimeve shtetërore nga partia në pushtet. Këtë radhë pamë se nuk u la grimcë e burimeve shtetërore pa u përdorur.
Asnjë dispozitë e Kodit Zgjedhor nuk u la pa prekur. Por pati edhe abuzime të tjera, siç ishte psh. vendimi i Komitetit Teknik për t’u ndaluar hyrjen shtetasve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, një vendim ky i qëllimshëm, që ndikoi sidomos në dy qarqe, Gjirokastër e Vlorë. Vota e emigrantëve ishte një premtim që PS e bëri më 2013 dhe sot jemi më 2021 dhe ky vendim është i sabotuar. Për këtë mazhoranca do të përgjigjet. Diaspora duhet të kërkojë llogari, përse është sabotuar ky proces. Mazhoranca do të përgjigjet para drejtësisë për vendimin për ndalimin e hyrjes të shqiptarëve nga këto dy vende.
Shqiptarët do të kenë mundësi të shohin çdo fakt dhe provë. Nuk janë sekrete, përvec emrit të denoncuesit. Kemi depozituar qindra fakte e prova, që vërtetojnë tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve, veçanërisht në këto 9 qarqe. Problematikat që ne kemi ndarë kanë prekur të gjitha qarqet, edhe në Shkodër apo Dibër. Nuk është se këto qarqe kanë qenë të zhveshura nga problematikat, që masivisht janë vërejtur në qarqet e tjera.
Keni përmendur edhe çështjen e tërmetit, por Lezha, që ka qenë shumë i prekur nga tërmeti, ka votuar më shumë djathtas …
Ne evidentojmë fenomenin e paligjshëm, që është dhënia e benefiteve, dhe përdorimi i këtyre fondeve në periudhë elektorale. Në rastin e Elbasanit ne kemi denoncuar në Prokurori kandidatin e PS, Taulant Balla, që ka futur në skemën e ndihmës ekonomike shumë familje, me qëllimin e vetëm marrjen e votës prej tyre. Jo vetëm kaq, por është rritur në një masë shumë të madhe dhënia e ndihmës ekonomike në raport me muajt janar-mars 2021, por është dhënë edhe shumë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka qenë një dhuratë elektorale, pasi vetë Balla i ka telefonuar banorët. “Nuk do të ishte e mundur pa ndërhyrjen dhe ndihmën e kandidatit Taulant Balla”, është një mesazh, që ne e kemi dërguar në SPAK, por nuk kemi ende asnjë informacion. Si ky rast janë me qindra. I njëjti operacion është bërë edhe me fondet e zbutjes së pasojave të tërmetit. Janë bërë punësime me kontrata të përkohshme, që tani po ju vjen fundi. Janë 10 mijë persona, një tejfryrje e administratës. Ky është një operacion tërësisht dhe rreptësisht i ndaluar, që duhet të ndiqet nga ligji. Ndaj e them se nuk ka ngelur grimcë e shtetit pa u përdorur në funksion të rezultatit elektoral.
Po komisionerët tuaj çfarë bënë ditën e zgjedhjeve, që ishin aty?
Edhe dita e zgjedhjeve ka pasur parregullsitë e veta, që do të dalin në dritë në vijim. Ka funksionuar një skemë kriminale e përdorimit masiv të burimeve shtetërore, në periudhën parazgjedhore, me qëllim arritjen e një rezultati në funksion të fitores së mazhorancës. Këto fenomene duhen kapur nga institucionet ligjzbatuese, me qëllim vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Nëse nuk ka një rezultat të pritshëm nga ankimimet, cili do të jetë aksioni i PD?
Aksioni jonë do të jetë që do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së 25 prillit dhe përballja me ligjin e përgjegjësve. Jo vetëm ajo që ka ndodhur më 25 prill, por gjithë procesi parazgjedhor, dhe çmontimi i krimit.
Nisma për shkarkimin e Metës…
Është një veprim fasadë për të zhvendosur vëmendjen. Kësaj mazhoranca i duhet shkarkuar presidenti me ngut, për të mbuluar proceset kriminale të procesit të 25 prillit. Si jurist besoj se mandati i këtij presidenti përfundon më 24 korrik 2022.
Ftesa për PD…
Nuk ka asnjë negociatë me regjimin që ka dhunuar procesin e 25 prillit. Negociata e vetme, që ata s’kanë për ta pranuar, është të hidhet dritë mbi procesin zgjedhor.
Zërat për dorëheqjen e Bashës…
Janë diversione, të cilat bëhen për ta zhvendosur vëmendjen nga fokusi zgjedhor, zbardhja e çdo masakre të 25 prillit. Procedurat e tjera janë normale dhe do të zgjidhen brenda partisë, kur të kenë kohën e tyre. Për momentin asgjë nuk e zhvendos vëmendjen mbi faktet dhe provat e 24 prillit.
Nuk morët dot mandatin e deputetit, edhe pse ishit kontribuues, keni pasur keqardhje që ishit i 17 në listë?
17 është numri im me fat, nuk kam asnjë keqardhje për këtë. Keqardhja ime më e madhe është vetëm ajo që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor, shpresoj që shqiptarët të fitojnë të drejtën e tyre të votimit.