Nis nga Lezha protesta për Lear Kurtin, të rinjtë: E vrau policia, e rrahu barbarisht
Nga Lezha ka nisur protesta që dënon vdekjen e të riut Lear Kurti në duart e Policisë së Shtetit. Dhjetëra të rinj janë mbledhur para komisariatit të qytetit, ku kanë ndezur qirinj dhe kanë zhvilluar homazhe. Në një prononcim për media, një prej të rinjve tha se Kurti është vrarë barbarisht nga Policia.
“Sot protestojmë për vrasjen e Learit, ne jemi mbledhur këtu për të bërë homazhe për vdekjen e atij që u vra barbarisht nga policia. Nga kjo polici e cila është një polici e krimit. Mund të ishte secili nga ne në vend të Learit. Po mos të ngrihemi ne rinia, kush do ngrihet? Po mos të ngrihemi tani, kur do ngrihemi? Duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë të protestojmë për këtë vrasje makabër”.
Anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike thanë se praktikat e ndjekura nga kjo qeveri po bëjnë që shumica e të rinjve të lënë Shqipërinë edhe pse Rama ka deklaruar se do t’u mbajë diplomat.