Nishani dekoron 67 ballistë, kreu i PBKD-së: E drejtë sipas raportit historik
67 ballistë të vrarë, gjatë përplasjes së armatosur me brigadat partizane, nën drejtimin e Mehmet Shehut, janë dekoruar nga Presidenti i Republiksës, Bujar Nishani. 73 vjet më parë, pikërisht në 21 tetor të vitit 1943, në Matjan të Lushnjes, në radhët e ballistëve, që akuzoheshin nga partizanët për bashkëpunim me pushtuesin nazifashist, mbetën 67 të vrarë.
Dekorimi i 67 ballistëve nga presidenti Nishani ka shkaktuar polemika jo vetëm në radhët e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe në radhët e vetë Ballit Kombëtar.
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, ndonëse ka vlerësuar dekorimin e 67 ballistëve, ka akuzuar Presidentin Nishani për një mision, për përçarjen e Ballit Kombëtar. Ndërsa, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi shkruan se ky është një akt i drejtë në raport me të vërtetën historike.
Artur Roshi, në një reagim në rrjetin social facebook, shprehet se dekorimi i 82 martirëve nga Presidenti i Republikës është një akt i drejtë në raport me të vërtetën historike. “Ishin dokumentet e arkivit të shtetit që ju paraqitën Presidentit dhe e bindën atë për këtë veprim. Sipas tij, pushkatimi i tyre nga brigada e Mehmet Shehut tregon qartë luftën civile të komunistëve për pushtet, por nuk është ky qëllimi i reagimit, sepse historianët po binden se ka një abuzim me historinë.
“Sot historia nuk mund të mbulohet më me gënjeshtra bajate, sepse arkivat janë të hapura dhe njerëzit e interesuar për të vërtetën, nuk mund të shmangen më nga ajo. Kështu që, më duket një reagim skematik jashtë logjikës ai i z.Paskal Milo. Përgjigjia e tij është thjesht automatikisht si refren i të shkuarës dhe jo i realitetit të sotëm që nuk ka më një informacion të kontrolluar e selektiv mbi historinë, pra një monopol të historianëve të djeshëm”,- thekson kreu i PBKD-së.
Ai hton edhe se: “Kapitalizmi që jetojmë sot, edhe pse “klanor” me ngadalë, por do të drejtojë shigjetën e historisë drejt së vërtetës dhe herët apo vonë martirët e Nacionalizmit (Ballit) do të ngjiten në altarin e demokracisë”.
KOHA JONË SONDAZH

