Nishani shtron darkën e Falenderimeve me amerikanët dhe fëmijët e SOS
Dita e Falenderimeve, festa tradicionale amerikane është shndërruar në një traditë festimi edhe në Shqipëri.
Ashtu si çdo vit, Presidenti Nishani organizoi në Pallatin e Brigadave darkën e falenderimeve, ku të ftuar ishin Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, por edhe shtetas të tjerë amerikanë që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri.
Kreu i Shtetit vlerësoi traditën e lashtë amerikane, duke e konsideruar një mundësi të mirë për të gjithë që te shprehin mirënjohjen e tyre.
Nishani: Do të ishte diçka e mrekullueshme që çdo ditë e jetës sonë të ishte dhe një ditë falenderimesh sepse në Shqipëri, sidomos në kohët që jetojmë, kjo mënyrë e të shprehurit të mirënjohjes sonë ndaj Zotit ka hedhur rrënjë gjithandej duke na nxitur të ndajmë të mirat me më të varfrit.
Presidenti gjatë fjalës së tij shprehu falenderime të veçanta edhe ndaj Ambasadorit amerikan Lu për respektin që ai ka treguar ndaj gjuhës shqipe.
Nishani: Kjo tregon në rradhë të parë respekt ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo vë në dukje dhe përkushtimin që një vend kaq i madh i bën vendit tonë.
Ndërsa diplomati amerikan u shpreh mirënjohës ndaj shqiptarëve për mikëpritjen e tyre të ngrohtë.
Lu:Më lejoni të them në emër të gjithë amerikanëve që janë këtu sot sa mirënjohës jemi për mikëpritjen e të gjithë shqiptarëve përgjatë vitit. Një marins i ri amerikan më tha mua muajin e kaluar se viti që kaloi në Shqipëri ishte më i bukuri në jetën e tij deri më sot nga mikëpritja dhe bujaria e shqiptarëve.
Në darkën e falenderimeve, Presidenti Nishani kishte ftuar edhe fëmijët e fshatit SOS.
KOHA JONË SONDAZH

