Nisma e qeverisë, VOA: Fermerët nxiten për të kultivuar grurin
Nga: Zëri i Amerikës
Në Shqipëri fermerët po shfaqin një interes të lartë për një skemë mbështetëse të qeverisë shqiptare për kultivimin e grurit. Mbështetja me rreth 300 dollarë për hektarë dhe aplikimet në masë premtojnë në mbjelljet e vjeshtës një rritje të ndjeshme të sipërfaqeve me grurë. Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës kjo rritje vlerësohet në mbi 30%. Shqipëria importon gjysmën e nevojave të saj me drithëra dhe në tregun vendas çmimi me të cilin fermerët shitën grurin këtë vit u dyfishua.
Ajet Kroi, një fermer nga Nepravishta, një zonë bujqësore në Luginën e Drinos në Gjirokastër, po aplikon pranë Drejtorisë së Bujqësisë për një skemë të re mbështetëse të qeverisë shqiptare për nxitjen e prodhimit të grurit. Ajeti thotë se vitin e shkuar mbolli rreth 20 hektarë me grurë dhe këtë vit mendon ta dyfishojë sipërfaqen duke përfituar edhe nga skema e qeverisë. “Sapo bëra aplikimin dhe në sistem u konfirmua, më pas do përgatis edhe dokumentacionin e kërkuar që të përfitoj nga skema mbështetëse. Kisha mbjellë 20 hektarë me grurë ndërsa tani në vjeshtë do të mbjell edhe 20 hektarë të tjera duke e dyfishuar sipërfaqen”.
Skema e re mbështetëse për fermerët që mbjellin grurë është rreth 300 dollarë për hektarë thotë Balil Bineri në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjirokastër. “Është një skemë e prezantuar së fundi duke qenë se jemi në prag të mbjelljes së grurit për t`i mbështetur fermerët që kultivojnë grurë, por edhe për të nxitur, për të shtuar sipërfaqet. Ka një vlerë mbështetje prej 30 mijë lekësh (300 Usd ) për hektarë .Thjesht fermeri duhet të jetë i pajisur me niptin tatimor dhe të zotërojë dokumentin e tokës për të përfituar nga skema”.
Ministria e Bujqësisë thotë se në nivel kombëtar mbi 1000 fermerë kanë aplikuar që në ditët e para të thirrjes që mbyllet më 23 shtator për të shtuar sipërfaqet e grurit. Vetëm në këtë rajon, thotë zoti Bineri aplikimet që tani premtojnë një rritje me 30% të mbjelljes së sipërfaqeve me grurë. “Në rajonin tonë janë mbjellë vitin e kaluar 1900 hektarë dhe parashikohet të ketë një rritje me 30 %. Ndërsa potenciali është më i lartë nëse do jenë këto çmimet të shitjes së grurit dhe misrit dhe do vijojë edhe mbështetja shtetërore për fermerët”.
Ajeti që merret prej 10 vitesh kryesisht me prodhimin e drithërave për t`i tregëtuar ndërsa babai i tij merret prej 30 vitesh me bujqësi thotë se çmimi i shitjes së grurit u rrit këtë vit, ndonëse edhe kostot e prodhimit ishin të larta prej cmimit të lartë të plehrave kimikë. “Në cdo blerje që kemi bërë tek plehrat ishte 100 -120 % më shtrenjtë se viti kaluar. Ndërsa çmimi i grurit ishte dy herë më i shtrenjtë. Nëse vitin e kaluar e kemi shitur grurin me 300 mijë lekë për ton, këtë vit e kemi shitur me 450 mijë lekë për ton”.
Fermeri nga Nepravishta thotë se mundësitë e rritjes së kultivimit të grurit dhe misrit janë të mëdha pasi shumë toka janë të lira. Sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Bujqësisë prodhimi i drithërave në vitin 2021 në Shqipëri shënoi një rritje me 1,04 %, krahasuar me vitin 2020. Shqipëria prodhoi në vitin 2021 rreth 691.353 tonë drithëra që plotësojnë gati gjysmën e nevojave të saj ndërsa pjesa tjetër importohet.
Rritja e lehtë e prodhimit të drithrave gjatë vitit 2021 lidhet me fillimin e një tendence të fermerëve shqiptarë për të kultivuar grurë pas rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar si të grurit dhe të miellit. Ky vit e ka shtuar edhe më shumë interesin për kultivimin e grurit pas fillimit të Luftës në Ukrainë në muajin shkurt, por rritja e kostove për kultivim i ka përballur fermerët me mjaft sfida. Specialistët e bujqësisë në Shqipëri thonë se kushtet për rritjen e sipërfaqeve të kultivimit sidomos me grurë dhe misër janë mjaft të favorshme në disa zona të vendit dhe për fermerët është e rëndësishme cdo mbështetje që ofrohet nga shteti.