Një analizë e shkurtër për panairin shqiptar të verës në Beograd dhe injorantët e facebook-ut
Nga Flori Uka
Teksa ndiqja me kërshëri vizitat, reagimet, përshtypjet, emocionet e njerëzve në panairin e verës në Beograd, ndjeva në thellësi të shpirtit një ndjenjë të lartë krenarie: Në mes të tryezës serbe, kishim shpalosur kulturën tonë në prodhimin e verës.
Ajo është një nga produktet që sendërzon dhe performon kulturë. Krerët e tyre mundoheshin ta fshihnin njëfarësoj habinë, por dukej edhe sikur donin të thonin: “Sa shpejt u zhvilluan shqiptarët, nuk janë siç thuhet ose mendohet tek ne!”
Por kjo ndjesi nuk do zgjaste shumë, sepse do shihnin fyerjet në fb mes nesh: “Jo, jo, nuk paskan ndryshuar, janë siç e ka thënë At Gjergj Fishta: “Shqiptarët janë nj’ashtu si i don hasmi!”
Në fakt, kudo, njerëzit janë të gjithë njësoj prej natyre, por është edukata e kultura qe bën dallimin. Përsa kohë që fqinjët tanë ushqehen me “dialogjet” tona mes nesh, “qetësohen” se e kanë më të lehtë të na sundojnë…
Por, për shkak të disa injorantëve, ne nuk do t’i lemë të na kthejnë mbrapa, atje ku kemi pasë qenë dikur, dmth tek “epoka” e barit: sakën se guxon kush të prodhojë e të shesë verë! Bar do hamë, e serbit mos t’ia prishim qetësinë.
Jo, jo, brezi i lindur e i rritur në demokraci do të dijë më së miri të lartësojë nderin dhe krenarinë tonë të nëpërkëmbur nga injoranca në majë e llumi në fund!!