Një rrap, një libër, një film

Nga Edi Lesi-

Një rrap, një libër, një film

Jemi nis drejt Gjirokastrës si të pushtuar nga një urdhër i Kantit, me një ligj të brendshëm e imperativ kategorik, pa kthyer kokën mënjanë e pa u ndalur askund rrugës për qëllime të tjera.

Temperaturat e këtij Prilli janë çmendur dhe lajmet për kapriçiot e motit në ditët në vijim kanë zënë krye tek rubrika e më të lexuarave në secilin portal.

Qafa e Pazarit hedhur mban shallin vezullues me arabeska e rombe, krijon atë kontrastin me grinë e përgjithshme dhe gëlon këtë fundjavë nga mizëri vizitorësh në ato kapilarë të gurtë që i japin jetë qytetit.

Ne e dimë se stacioni i preferuar është kafja e gjuetarëve, që sot njihet thjesht si “Kafe Rrapi”, prej asaj peme që dikush na thotë se shfaqet në një foto të vitit 1909, tek pozonin ushtarët austriakë. Atëkohë ishte kërthi. Sot, ai masiv halor nopran, që i ka hapur krahët në gjithë drejtimet si për të kontrolluar krej shehrin, duket se e tregon me një lloj bezdie shtrirjen në kaq shumë kohë, nga njëri shekull tek tjetri, nga njëri mijëvjeçar tek i sotmi.

Rakia dhe kafja e përligj këtë vend strategjik. Një ajër tjetër për të lënë pas boritë e piskamat e Tiranës. Ato sherre që ziejnë nga e hena në të premte.

……

Presim me durim Mulin, rokerin e pazakontë nga Memaliaj. Deri atëherë, mund të të përndjekin ende disa mendime, kur sapo ke kaluar ca ditë në kurthin e librit të Kazanzaqis, “Vëllavrasësit” dhe filmit të regjisorit francez Luc Besson, “Dogman”.

Rastësi fatlume të gjendesh në të njëtën kohë mes këtyre krijimeve.

Romani i Kazanzaqis është shkruar shumë dekada më parë, ndërsa Dogman është prodhim i ri, i 2023-shit.

Pavarësisht distancës, bashkohen në një fill të përbashkët qe i përshkon të dy; mizoria, fuqia e pabesueshme që ka njeriu për të bërë keq, për ligësi, për të shkatërruar tjetrin, të ngjashmin, të afërmin, vëllain, kur mendjet janë më të vogla se ambicia për pushtet apo pasurim.

Ata shkrehin armët e bataretë ndaj njëri-tjetrit pa kursyer asgjë, duke pretenduar se janë bartës të ndonjë ideje më të madhe. Më të madhe se vetë jeta.

Në mes qendron prifti që nuk ja del të sjellë fjalën e shenjtë e paqen në veshët e tërbuar të partizanëve e mbretërorëve, në mbarim të luftës së Dytë Botërore. Dhe në fund, bie viktimë edhe ai, atë Janaro. Një lloj meshtari është dhe Dogman, luajtur fuqishëm nga Caleb Landry Jones, emri i të cilit do të bëhet me siguri shumë popullor në vijim. Grigja e tij janë qentë. Vetëm tek ata ka gjetur dashurinë e kulluar. I lënë në cep të shoqërisë, pa vemendje, së pari prej familjes së tij, dhe i përjashtuar nga historia, Dagllasi harton një plan gjakftohtë hakmarrjeve. Duke nisur me më të afërtin biologjikisht.

Një vëllavrasje, një dramë që humb rrugën e bishtnon, sa më shumë të krijon idenë e fundit të parashikueshëm.

…..

Gjirokastra përmendet edhe në librin e Kazanzaqis. Jemi duke rrokur me sy fundin e degëve të rrapit, kur Lushi rrëfen se pasi vijnë këtu, turistët grekë ikin të mrekulluar. Sidomos prej bujarisë. Po nuk i del e ‘keqja’ me paragjykimin e mysafirëve nga Tirana, sidomos e të rinjve gjimnazistë, të cilët sipas një klisheje, pretendojnë ta gjejnë shpirtin gjirokastrit në rrugicat e vogla, në dritaret e mezidukshme, apo në trotuaret e ngushta. Duke rrumbullakosur gjithçka me gjasme kopracinë.

Orët po vithisen dhe Muli është në kulm me repertorin Italian. Teksa s’duhet shumë për të zbardhur, kërkojmë të shohim mos është ende hapur ndonjë lokal. Rrugës, marshimi ynë i kalamendur do ta ketë dëshmuar synimin, na del përpara një djalë i ri që na thotë të mos lodhemi kot, se pub-in e fundit, sapo e kishte mbyllur ai.

Ka qënë e mjaftueshme për të mbledhur nektarin e këtij qyteti për një natë. Të nesërmen nuk ke si iken, pa e pirë kafen nën hijen 120 vjeçare të rrapit

SHKARKO APP