Njerëzit që fitojnë për të jetuar dhe disa që jetojnë për të fituar!
Nga Lindita Kokoli-
Sot Dom Gjergj Meta, ipeshkv i Mirditës, i njohur si njeri i fesë, por pikësëpari atdhetar dhe intelektual, ka postuar shënimim e mëposhtëm:
“Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”
(Nga Ungjilli i kësaj të Diele)
Një koment i shkurtër …
Ka një ndryshim thelbësor midis atij që fiton për të jetuar dhe atij që jeton për të fituar. Ndryshimi qëndron në vlerën që ti i jep jetës dhe ekzistencës tënde: për kë ti jeton? Për kë ti ekziston? Për kë mundohesh dhe lodhesh?
Pa shumë teori: më bien ndërmend nëna e baballarë, gra e burra që punojnë pareshtur për familjen dhe fëmijët e tyre e çdo gjë që fitojnë e vënë në shërbim të jetës. Në fund të ditës këta njerëz e bëjnë gjumin e qetë dhe marrin bekimin e Hyjit e mirënjohjen e njerëzve. Kthehen nē busull morale për secilin prej nesh. Kjo do të thotë t’i japësh vlerën e duhur jetës dhe ekzistencës. Dhe t’i shërbesh Hyjit!”- shkruan Gjergj Meta.
Mesazhi është tokësor dhe nga praktika e këtyre viteve të fundit në vendin tonë, ku një dorë biznesmenësh turren të marrin gjithçka. E kanë mendjen vetëm të fitojnë dhe përfitojnë!
As japin dhe as ndihmojnë familje apo njerëz të vobektë, por e kanë mendjen vetëm se si të mbushin thasët me euro dhe të blejnë e rrëmbejnë pasuri.
Nga ana tjetër qindra mijërat e familjeve të thjeshta që punojnë gjithë ditën që fitojnë për të mbajtur familjen apo për të shkolluar fëmijët me dije.
“Ka një ndryshim thelbësor midis atij që fiton për të jetuar dhe atij që jeton për të fituar”- citon Gjergj Meta.
Njerëzit shikojnë se kush turret për të mbushur thasët me euro e dollarë dhe kush mbijeton për të jetuar familja.