Paloka: Ne nuk kemi kërkuar njohjen e Berishës si kryetar që të bashkohemi për zgjedhjet
Kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka tha për gazetarët se grupi i Berishës nuk iu vuri asnjë kusht grupit të Alibeajt, përveç primareve. Po ashtu Paloka hedh poshtë deklaratën e grupit të Alibeajt se është kërkuar njohja e Sali Berishës si kryetar i PD-së.
”Asnjë kusht nuk kemi vëmë ne. Primaret janë të padiskutueshme. Cili do të ishte kushti që mund të vendosnim ne, minimalisht i kërkonin çështjen për të cilën jemi në gjyq. Nuk kërkuam as tërheqjen e padisë absurde që kanë bërë në gjykatë, as njohjen e Berishës si kryetar, nuk kërkuam asnjë prej këtyre. Që aty duhet të gjykohej që nuk ka vullnet për bashkëpunim”- tha Paloka.
Ndërkohë Berisha deklaroi sonte se “kush prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë keq”.
Me tej Paloka shtoi se “Në deklaratën e tyre kërkohej praktikisht eliminimi i gjithë strukturave të ngritura të PD-së, nga një vit sakrificash, kërkohej eliminimi i strukturës.
Theksohej që kërkohej një strukturë jashtë këtyre aktuale dhe të merrnin votë unanime. Sikur njëri prej tyre të kundërshtonte, i gjithë procesi binte poshtë.
Kishte një veto që bëhet që kur ditën e parë mendon se si ta bllokosh këtë proces. Pse duhej vendosur një veto. Unë mund ta kuptoj që kjo mund t;i kërkohej Edi Ramës, por t’i kërkosh brenda partisë.
Unë kam biseduar me zotin Bardhi në Parlament. I kam thënë pikërisht këtë që po ju them ju. Pse duhet të krijojmë ngërçe për proces. Nuk po na detyron njeri të futemi këtu. Nëse nuk duan të bashkëpunojmë, nuk bashkëpunojmë hiç’, është shprehur gjatë fjalës së tij për gazetarët, Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka.