Ogerta Manastirliu në podkast me Kryeministrin Rama: Familja, forca ime më e madhe
Kryeministri Edi Rama në sezonin e 5-të podkastit “Flasim’’ ka të ftuar Ogerta Manastirliun, kandidaten e Partisë Socialiste për kryetare të bashkisë Tiranë.
Në këtë intervistë, Manastirliu ndau një pjesë nga jeta e saj personale.
“Mendoj që qoftë ata që na ndjekin qoftë edhe unë kemi të drejtën të dimë pak më shumë nga historia jote. Unë di historinë që nga dita kur jemi takuar në atë furgonin e vogël të zgjedhjeve të para për Tiranën të miat, por përpara nuk di gjë”, tha Rama në nisje të bisedës.
Manastirliu u shpreh se “është jo e lehtë të flasësh për veten, është më kollaj të flasësh për të tjerët që mund të kenë bërë më shumë”.
“Kam lindur në Tiranë në një familje të thjeshtë tiranase. Dy prindërit e mi, mamaja valltare në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore në TKOB, babai ushtarak. Gjithashtu në familjen tonë, të vajzërisë, edhe me vëllain në një shtëpi ku ka mbizotëruar harmonia me dy karaktere në kundërta diametralisht edhe për arsye të profesioneve të tyre , por që në atë harmoni dhe simbiozë jemi rritur të shëndetshëm dhe me shumë njerëz përreth”, tregoi Manastirliu.
Manastirliu foli edhe për arsimimin e saj, duke theksuar se ka qenë nxënëse shumë e mirë dhe një aktiviste e mirë.
“Në moshën 14-vjeçare shkova në Itali tek halla ime, bëra studimet një vit në liceun klasik, por kisha një ndjesi lidhjen me familjen dhe vendin. Dëgjoja kur halla fliste me mamin e babin për situatën që ishte në Shqipëri në ‘97. Mendoja se duhet të kthehesha dhe nuk mund ta lija familjen time”, tha Manastirliu.
“Vendimin për t’u kthyer im atë ma la ta merrja vetë. U ktheva tek “Sami Frashëri” dhe periudha ishte shumë e vështirë. Viti 1997 ishte një moment i vështirë i historisë së Shqipërisë, por edhe një traumë e shoqërisë që na ka shënjuar si brez”, tha Manastirliu duke shtuar se nisa të ndjej se duhet të kisha një rol sado të vogël”, vijoi ajo.
Manastirliu u shpreh se “i besoj shumë ëndrrave dhe transformimeve të mëdha, por besoj se punët e vogla sjellin transformime të mëdha”.
“Mbaj mend se shkonim në shkollë me qese plastike, kishte pasiguri të madhe por që u transformua në forcë për ne. Brezi ynë është rritur pak para kohe, pasi adoleshenca jonë nuk ishte e zakonshme, fëmijëria gjithashtu. Kemi luajtur shumë, por jo me ato që kanë pasur mundësi bashkëmoshatarët tanë. Kemi qenë inovatorë me mjete rrethanore. Mbaj mend që edhe pse ishte 1997, patëm mundësi të kishim një hapje drejt një realiteti tjetër. Rol të madh në formimin tonë kanë mësuesit. Na kanë dhënë shpresë, pavarësisht asaj që po kalonim kishte mundësi që të gjenim dritën e shpresës, dhe ajo ishte ushqimi më I madh që ne na ka dhënë shkolla”, tha Manastirliu.
Më pas Manastirliu foli për bashkëshortin, Ermalin, dhe dy vajzat, Altean dhe Emilin.
Ajo rrëfeu se historia e dashurisë ka nisur që në bankat e gjimnazit.
“Me Ermalin jam dashuruar kur ishim në gjimnaz. Kemi ndërtuar jetën tonë së bashku. I thamë ‘po’ njëri-tjetrit në vitin 2005 dhe që prej asaj kohe jemi krah për krah në çdo sfidë. U bëra nënë në të njëjtin vit që u martuam. Erdhi Altea, pa plan, por si një dhuratë. Më pas erdhi Emili”, tha Manastirliu.
Manastirliu pranoi se intensiteti i punës i ka marrë shumë kohë nga familja, por mbështetja e bashkëshortit ka qenë vendimtare:
“Ermali është padyshim kolona ku mbështetem dhe ku gjej prehje. Më ka lehtësuar nga shumë angazhime, duke marrë mbi vete pjesën që unë, si nënë, nuk kam pasur mundësi ta bëj gjithmonë”, tha Manastirliu.
Ajo rrëfeu se dy vajzat, tashmë të rritura, janë kthyer në kritiket më të ashpra të saj.
“Vajzat janë rritur dhe janë bërë kritizerë të mëdha. Ndonjëherë më thonë: ‘Pse nuk je me ne, pse përkushtohesh kaq shumë diku tjetër?’. Por sot, në moshën që kanë, e kuptojnë më mirë sakrificën”, theksoi Manastirliu.
Për Manastirliun, pavarësisht posteve dhe detyrave të larta, familja mbetet themeli.
“Familja ime, e vogël dhe e madhe, është forca ime më e madhe. Të shërbesh për të tjerët është një mision, por shërbimi fillon nga familja”, tha Manastirliu.
…
KOHA JONË SONDAZH

