Opozita: Ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore zhbën të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit

Opozita e Bashkuar ka reaguar ashpër lidhur me marrëveshjen e firmosuar pak më parë nga kryeministri Edi Rama dhe deputetët e opozitës parlamentare për reformën zgjedhore.

Deklarata e plotë e Opozitës së Bashkuar

Ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore zhbën të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit.

Akti i sotëm është dëshmi e planit diabolik të Edi Ramës që të miratojë fillimisht për fasadë Marrëveshjen e 5 Qershorit, të vërë në lojë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE dhe vetëm 1 javë më vonë ta zhbëjë marrëveshjen me ndryshime të njëanshme kushtetuese, që ndalojnë koalicionet si subjekt zgjedhor.

Edi Rama gënjen, kur thotë se po hap listat, sepse pjesën fituese të tyre, 1/3 e listës, e mban të mbyllur, duke dalë zbuluar se i vetmi qëllim është ai i ndalimit të koalicioneve si subjekt zgjedhor.

Zhbërja nga Edi Rama i marrëveshjeve të 14 Janarit dhe 5 qershorit përbën një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

Ky akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm është, po kështu, një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë.

Ky akt tinëzar prej frikacaku tregon tmerrin e kryeministrit në ikje nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm. Opozita e Bashkuar garanton të gjithë qytetarët se do të bëjë gjithçka, që faturën e rëndë që ky akt sjell për demokracinë, stabilitetin dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, ta paguajë vetëm Edi Rama dhe jo Shqipëria e shqiptarët.

SHKARKO APP