Opozita nuk gjen konsensusin. Pikëpyetje të mëdha për 21 korrikun
Opozita nuk ka rënë dakord as me paketën e propozuar nga ndihmës/sekretarja amerikane, Victoria Nuland, e cila ju la në tavolinë konsensusin e munguar palëve politike. Edhe pse është lajmëruar se do të ketë një qëndrim zyrtar në orën 13:00 pas mbledhjes së grupit të PD-së, përgjigjja e opozitës është e qartë, jo propozimit të amerikanëve dhe përpjekja e PD-së është që ndërkombëtarët të qëndrojnë sa më larg procesit të kontrollit. Partia Demokratike, ka kërkuar që ndërkombëtarët të qëndrojnë larg Vettingut. Mund të lexoni dhe Dokumenti/ PD bën zyrtare propozimin e zgjedhjes së organeve të vetting-ut
Lajmi është konfirmuar edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili ishte në pritje të një përgjigjeje nga Partia Demokratike, mbi atë që u quajt “një propozim hibrid” të dielën e shkuar. Ky propozim lidhet me rolin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara në procesin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe u bë publik pas vizitës në Shqipëri të një zyrtareje të lartë të administratës amerikane.
Ambasadori amerikan është shprehur i zhgënjyer mëngjesin e sotëm nga qëndrimi i kreut të PD-së Lulzim Basha për reformën në drejtësi. Diplomati amerikan deklaroi në një prononcim për mediat se, “jemi të zhgënjyer me përgjigjen e Z. Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi”. Lu tha se propozuan një zgjidhje në mirëbesim. “Z. Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”, thuhet në reagimin e Lu-së.
Nuland kishte ardhur me qëllim për ti siguruar arenës politike propozimin hybrid por siç po shihet palët e kanë të vështirë që të bien dakord për një dokument të përbashkët. Ndërkohë që opozita nuk e ka pranuar këtë propozim, në anën tjetër, Kryeministri Rama ka dhënë dakordësinë e maxhorancës. Me refuzimin e opozitës, në pikëpyetje është tashmë nëse do të votohet Reforma në Drejtësi më 21 korrik dhe në çfarë skenari do të kalojë arena politike. Deri më tani, maxhoranca është shprehur për referendum dhe zgjedhje të parakohshme por opozita kërkon rrëzimin e qeverisë dhe ardhjen e një qeverie teknike.
Propozimet e opozitës
Hapi 1 – Shpallen vakancat mbi bazën e kritereve kushtetuese e ligjore. Organi i parë që e shpall vakancën dhe mbledh kandidaturat është Presidenti i Republikës, por mund të jetë dhe Avokati i Popullit. Ky institucion do të shpallë 12 vakancat dhe do të presë aplikimet për mbushjen e tyre. Kriteret për aplikim parashikohen në Kushtetutë dhe ligj, dhe janë të publikuara. Në përfundim të afatit, presidenti i përcjell dosjet e aplikimeve në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka të gjithë integritetin dhe kapacitetet për t’u bërë pjesë e këtij procesi.
Hapi 2 – Kreu i Gjykatës Kushtetuese do të përzgjedhë me short një panel prej 3 gjyqtarësh që do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve. Shqyrtimi bëhet mbi prova dhe fakte dhe kandidatit i jepet mundësia të faktojë përmbushjen e kushteve dhe kritereve. Nëse një kandidat nuk plotëson kushtet, rrëzohet. Këtij paneli do t’i bashkëngjiten përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit, siç e parashikon Komisioni i Venecias. Ata do të kenë akses në të gjithë dokumentacionin dhe procesin
Hapi 3 – Kur dikush është i pakënaqur me panelin prej 3 gjyqtarësh është e mundur të bëhet një ankim në Gjykatën Kushtetuese, në trupën prej 9 gjyqtarësh, që do të vendosë për pranimin e kësaj kërkese për rivlerësim të këtij vendimi të panelit. Numrat janë të tillë, janë 6 anëtarë të papërfshirë dhe është mundësia që vendimi i panelit të rrëzohet. Në përfundim të procesit të shqyrtimit të kandidaturave, kryetari i Kushtetueses dërgon në Kuvend kandidatët e verifikuar dhe që plotësojnë të gjitha kriteret.
Hapi 4 – Përzgjedhja e kandidatëve nga Kuvendi. Në propozimin tonë, kjo duhet të bëhet nga një komision parlamentar ‘ad hoc’, me 12 anëtarë, 6 anëtarë nga mazhoranca dhe 6 nga opozita. Ky komision do të zgjedhë pa debat 12 kandidaturat që do t’i paraqiten Kuvendit për miratim, me çdo anëtar që do të ketë vetëm një votë dhe votimi është i fshehtë dhe elektronik. Votimi elektronik do të bëhet me qëllim për të garantuar që në fund të dalin 12 kandidatë. “Anëtarët e komisionit do të votojnë në të njëjtën kohë. Në fund të votimit, sistemi shfaq listën e kandidatëve të përzgjedhur.
Hapi 5 – Lista zyrtarizohet, nuk ka votim tjetër, dhe për rrjedhojë bëhet gati për t’iu paraqitur Kuvendit për votim në seancë plenare. Kuvendi bën votimin miratues ose refuzues për të gjithë listën. Pra, votimi i saj bëhet në bllok. Lista ose miratohet e tëra, ose rrëzohet e tëra. Sipas propozimit, çdo deputet ka vetëm një votë dhe votimi bëhet me shumicë të cilësuar për t’i dhënë legjitimitet më të madh listës. Kjo 12-she i ka të gjitha mundësitë që të votohet e miratohet nga Kuvendi.
Hapi 6 – Përsëritja e votimit. Nëse lista rrëzohet në votim, atëherë rifillon faza e përzgjedhjes nga komisioni (hapi 4) me të njëjtën listë kandidatësh, sipas hapit 3. Komisioni ‘ad-hoc’ përsërit procedurën e përzgjedhjes. Votimi i dytë apo i tretë kryhet me një mazhorancë më të ulët. Kjo garanton që procesi nuk bllokohet dhe nuk ka nevojë për mekanizëm të jashtëm zhbllokimi. Ko është një formulë që do të garantonte kompromis dhe më tepër se kaq një funksionim të shpejtë e të thjeshtë. Ka më shumë se dy javë që kjo formulë është paraqitur në kanalet e negociimit tek pala tjetër. Deri më sot nuk ka patur asnjë argument thelbësor për ta kundërshtuar. Mazhoranca e kundërshton pa argumente.
R.SH
KOHA JONË SONDAZH

