Opozita “zbret” të premten në Dibër, prezantohet zyrtarisht Sherefedin Shehu
Dibra ndonëse është nën qeverisjen lokale, po shihet nga politika ditët e fundit, si sfida kombëtare. Dy koalicionet që garojnë për postin e Kryetarit të Bashkisë Dibër, kanë kandidatët e tyre, ku dhe kanë nisur dhe takimet për zgjedhjet që do të mbahen më 11 shtator. Koaliioni i majtë ka kandidat, Muharrem Rama dhe koalicioni i djathë, Sherefedin Shehun.
Sot u bë prezantimi zyrtar i kandidatit të majtë, për zgjedhjet e pjesshme në Dibër. Sakaq, është bërë më dije se, ditën e premte në orën 11.00 do të bëhet prezantimi i kandidatit të djathtë për kryetar të Bashkisë Dibër, Sherefedin Shehu.
Opozita e cila ka zbarkuar në Dibër, pritet që të organizojë një mbledhje me kryesinë e saj, me degën e cila ditët e fundit është përfolur se ka probleme. Lajmin e kanë dhënë në rrjete sociale dhe aleatë të opozitës, ku shprehin besimin se figura e Shehut është idealja për bashkinë e Dibrës. Për ta, Sherefedin Shehu njeriu që i duhet Dibrës, qëndron jashtë lojërave politike.
Fatmir Mediu, është shprehur se:“E gjithë struktura e PD-së dhe partive aleate janë në mbështetje të tij. PS është përballë një disfate të plotë dhe të një mungese të plotë morali dhe ndershmërie përballë Dibranëve, nëpërmjet medieve shërbëtore dhe të paguara kërkon që të krijoj opinione rreth problemesh që nuk qëndrojnë”.
Zef Shtjefni, kreu i Partisë Ora e Shqipërisë e konsideron kandidimin e Sherefedin Shehu, si një kandidaturë fituese, si e vetmja mundësi për ta marrë Bashkinë e Dibrës. Ai shton se Partia Ora e Shqipërisë përfaqësohet me një këshilltare në Bashkinë Dibër dhe do punojmë fort për të dhënë kontributin për fitoren. Ndaj zërave që në Dibër, kandidati Shehu nuk ka mbështetje, Shtjefni i kundërshton duke pohuar se nuk kanë asnjë mundësi ta pengojnë fitoren e koalicionit që drejtohet nga z. Basha. Ai nënvizon se do të angazhohet me strukturat e partisë dhe me partitë e tjera të koalicionit, për fitore.
Kreu i Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi është shprehur se kandidati është një nga politikanët e rrallë që përputh arsyen me politikën. Sipas tij, Sherefedin Shehu, është pjesë e ekonomistëve profesionistë që zhvilluan ekonominë, si dimension të lirisë së individit. I pyetur se si do mbështetet z.Shehu nga partia e tij, Roshi premton takime elektorale në mbështetje të Shehut, duke vënë në dukje forcën zhvilluese të pushtetit të së djathtës.

KOHA JONË SONDAZH

