OSBE, Greminger: Mbyllni sa më shpejt ligjin e ri të zgjedhjeve!

Shqipëria ka detyrim të përgatisë një reformë të plotë zgjedhore e cila duhet të jetë gati para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Kështu deklaroi në një intervistë të thelluar dhe ekskluzive për RTSH, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Tomas Greminger. Për zyrtarin e lartë standartet bazë për të ndërtuar një shoqëri demokratike janë zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit.

Intervista

Pyetje: Z.Greminger, mirë se erdhët në Shqipëri! Sa herë përmendet fjala OSBE, për publikun shqiptar, emri i organizatës lidhet gjithmonë me zgjedhjet. Edhe pse Shqipëria ka tri dekada që zhvillon zgjedhje shumëpartiake, ende nga arbitri ndërkombëtar, qëështë OSBE-ja, vazhdojnë të kërkohen standarde. Pse ndodh kjo, sipas jush? A mos vallë është faji i partive politike që vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për mënyrën se si zbatohet ligji zgjedhor në Shqipëri?

Z.Greminger:Në fakt, zgjedhjet janë guri i themelit për çdo demokraci, prandaj, mbajtja e zgjedhjeve është absolutisht thelbësore. OSBE-ja, më saktë ODIHR-i, i ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri që në vitin 1996. Po të shohësh legjislacionin shqiptar, shohim që rekomandimet e misionit zgjedhor të OSBE-së për zgjedhjet e 2013-s, 2015-s dhe 2017-s nuk janë pasqyruar ende aty. Pra, kjo mbetet për t’u bërë. Nga këndvështrimi im, kjo është mjaft urgjente, sepse vitin tjetër mbahen zgjedhjet vendore dhe besoj se do të ishte mirë që të gjitha risitë e miratuara në legjislacion të testoheshin gjatë zgjedhjeve vendore, përpara se tëkalohet në zgjedhjet e përgjithshme të 2020-s.

Pyetje: Z.Greminger, pse mendoni se është e rëndësishme reforma e plotë zgjedhore për Shqipërinë? Për shkak se thjesht janë zgjedhjet vitin e ardhshëm, apo ky është qëllim i domosdoshëm për një vend që është anëtar i OSBE-së?

Z.Greminger:Shqipëria është shtet pjesëmarrës i OSBE-së, një nga 57 Shtetet pjesëmarrëse dhe, rrjedhimisht, i ka pranuar parimet dhe angazhimet e OSBE-së. Në këtë kuptim, nga Shqipëria pritet të qëndrojë në lartësinë e këtyre angazhimeve dhe kjo është qartësisht një prej arsyeve pse reforma zgjedhore duhet të realizohet. Por, është edhe në interesin e shqiptarëve që të vazhdojnë të përmirësojnë institucionet demokratike në vend. Kjo ka kuptim edhe në kuadrin e objektivit strategjik të Shqipërisë, që është anëtarësimi në BE; institucionet demokratike, pjekuria e tyre, janë gjithashtu një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim. Pra, reforma zgjedhore ka rëndësi jo vetëm nga perspektiva e angazhimeve të OSBE-së, por edhe nga perspektiva e vetë shqiptarëve, sepse institucionet e forta demokratike janë pjesë e qeverisjes së mirë të një vendi.

Pyetje: Gjatë kësaj interviste, në fakt, dua t’ju pyes edhe për diçka tjetër, e cila lidhet me një fenomen për të cilin flitet në raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, por është gjithashtu pjesë e proceseve zgjedhore në vendin tonë: lufta kundër korrupsionit. Çfarë ndikimi ka korrupsioni në performancën demokratike të Shqipërinë, meqenëse ky është një aspekt që është përmendur edhe në raportet e OSBE-së, në një formë tjetër, siç mund të ishte rasti i shitblerjes së votave?

Z. Greminger:Po, lufta kundër korrupsionit është një nga objektivat madhorë të Shqipërisë. Kjo është e vërtetë në kuadrin e objektivit strategjik për t’u anëtarësuar në BE, por edhe për përmirësimin e qeverisjes, për krijimin e një mjedisi favorizues për veprimtaritë ekonomike, për krijimin e vendeve të punës, për luftën kundër varfërisë. Për të gjitha këto, korrupsioni është thjesht helm. Pra, ekzistojnë një sërë arsyesh pse ky vend duhet të luftojë korrupsionin me vendosmëri të madhe. Sërish, OSBE-ja ka instrumente dhe programe për të ndihmuar Shqipërinë në arritjen e këtij objektivi.

Pyetje: A mendoni se OSBE-ja mund të ketë hapësira më të mëdha sesa sot për të asistuar Shqipërinë që të përmirësojë sjelljen e saj demokratike, si vend me institucione të drejta? Përveç pjesës së ndihmës dhe asistencës që OSBE-ja jep për reformën zgjedhore, ka edhe aspekte dhe fusha të tjera ku OSBE-ja asiston Shqipërinë. A mendoni se duhet shtuar kjo asistencë?

Z.Greminger:Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ekspertizë për të ofruar në një sërë fushash. Sërish, besoj se është në interesin e Shqipërisë që ta shfrytëzojë këtë ekspertizë për të arritur objektivin strategjik të anëtarësimit në BE-, por edhe për të shënuar përparim drejt qeverisjes së mirë dhe krijimit të një mjedisi ku ekonomia mund tëlulëzojë, ku mund të hapen vende pune… ku mund të ketë zhvillim shoqëror më të mirë. Mendoj se kemi kontribuar në disa fusha: kemi kontribuar në reformën zgjedhore, kemi kontribuar në luftën kundër korrupsionit; reforma në drejtësi është gjithashtu një fushë shumë e rëndësishme. Edhe në këtë proces, OSBE-ja mund të kontribuojë. Nga ana tjetër, në fushat kyçe të sigurisë, OSBE-ja ka instrumentet për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm. OSBE-ja i ka instrumentet për të luftuar trafikimin: trafikimin e personave, trafikun e drogës. Në fushën e të drejtave të njeriut, OSBE-ja ka një institucion fantastik, që quhet Komisioneri i Lartë për Pakicat Kombëtare,që ofron këshillim, dhe unë mendoj se respektimi i të drejtave të pakicave vazhdon të jetë sfidë në Shqipëri. Këto janë disa nga fushat ku mund të kontribuojë OSBE-ja, dhe veçanërisht Prezenca në Shqipëri.

Pyetje: Shqipëria është një nga 57 vendet anëtare të OSBE-së dhe Shqipëria është në një rajon shumë dinamik siç është Ballkani. Sa i rëndësishëm është, sipas mendimit tuaj, bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Ballkanit, duke pasur në konsideratë edhe stadin ku ndodhen këto vende? Janë në dyert e Bashkimit Evropian, në përpjekje individuale, sigurisht, për t’u anëtarësuar në Union?

Z. Greminger: Më lejoni të them dy gjëra. Së pari, Shqipëria është shtet pjesëmarrës i OSBE-së; le ta shohim rajonin në njëkëndvështrim më të gjerë. Mendoj se Shqipëria ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e instrumenteve të BE-së. Shqipëria, si shtet pjesëmarrës, ka qenë aktive në Dialogun e Strukturuar, që është një nga proceset më të rëndësishme të dialogut. Shqipëria ka dërguar personel shqiptar në operacionet kyçe të OSBE-së; për shembull, kemi 8 shqiptarë që punojnë në Misionin e Posaçëm të Monitorimit në Ukrainë. Mendoj se ky është një kontribut shumë i rëndësishëm i Shqipërisë për OSBE-në, si edhe e nxis Shqipërinë të investojë edhe më shumë – si shtet pjesëmarrës i OSBE-së – për sa i përket pjesëmarrjes, kontributit në diskutime, por edhe dërgimittë personelit. Mendoj se kjo është një mënyrë për të ngritur më lart profilin e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Tani, ta shohim rajonin në një këndvështrim më të ngushtë: Evropa Juglindore. Besoj se Shqipëria ka luajtur vazhdimisht rol shumë të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit. Padyshim që e nxis Shqipërinë të vazhdojë në këtë rrugë. Kjo është e rëndësishme, nëse duam të krijojmë një mjedis ku vendet ndërveprojnë mes tyre, zhvillojnë tregtinë mes tyre dhe ku mund të tërheqin investitorë nga Evropa dhe më gjerë. Pra, besoj se ky angazhim rajonal i Shqipërisë është thelbësor. Sërish, OSBE-ja ka diçka për të ofruar: ne kemi një numër programesh me dimension rajonal, sidomos në lidhje me nxitjen e shkëmbimeve dhe kontakteve mes njerëzve. OSBE-ja ka një program që promovon shkëmbimet e të rinjve që quhet Shtigje Rinore; kjo është diçka që OSBE-ja mund t’ia ofrojë Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, me qëllim që të forcohet më tej bashkëpunimi në Evropën Juglindore.

SHKARKO APP