Paditë për 25 prillin, Tabaku: Drejtësia mbajti anë politike, do i drejtohemi Strasburgut
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë një interviste për “Euronews Albania” u shpreh të premten se është normale që një forcë politike të bëjë një analizë të brendshme pas procesit zgjedhor të 25 prillit, duke iu referuar edhe punimeve të sotme në mbledhjen e Kryesisë së Partitë Demokratike.
“Partia Demokratike e ka quajtur 25 prillin një fitore të vjedhur, e ka quajtur 25 prillin një masakër elektorale dhe për këtë është duke vazhduar një rrugë ligjore. Njëkohësisht është e nevojshme të shikojnë, analizojmë edhe faktorët e brendshëm, situatën në terren të PD-së, strategjinë tonë elektorale, mënyrën sesi shkuam ne në zgjedhje”, u shpreh anëtarja e Kryesisë së PD-së.
Sa i përket vendimeve të KAS dhe Kolegjit Zgjedhor për paditë e depozituara nga selia blu, deputetja e zgjedhur theksoi se drejtësia nuk ka vepruar edhe pse janë paraqitur prova. Sipas saj organet e drejtësisë mbajtën anë politike.
“Ne kemi nisur një rrugë ligjore që besoj se do të përfundojë me të gjitha shkallët edhe me Gjykatën Kushtetuese dhe me instancat ndërkombëtare, në Gjykatën e Strasburgut. Askush nuk mund ta mohojë faktin që gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR-it, të cilat evidentuan shkelje të rënda, duke filluar që nga shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit në mënyrë të njëanshme që çoi në deformimin e vullnetit, duke vazhduar me ndryshimin e fletëve të votimit që rezultuan 80 mijë fletë të pavlefshme”, u shpreh dje deputetja e zgjedhur e PD-së, Jorida Tabaku.