Pakicat kombëtare, Panariti: Ligji i ri do të krijojë probleme për çështje territoriale, apo pronësie

Ish-ministri i LSI-së në një intervistë për “Koha Jonë”: Asnjë diskutim për reformën zgjedhore pa u siguruar dhe garantuar shkëputjen e krimit nga zgjedhjet

Intervistoi: Herion Mesi

Shumica parlamentare  u ngut që të ratifikojë konventën europiane të pakicave dhe të miratojë edhe ligjin e pakicave kombëtare, duke anashkaluar dhe shpërfillur mendimin akademik të historianëve, gjuhëtarëve, albanologëve në këtë drejtim. Është kjo analiza e ish-ministrit të Punëve të Jashtme Edmond Panariti e shprehur në një intervistë për “Koha Jonë”.

Nisur nga kjo ngutje e PS-së, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim gjykon se ligji i ri për pakicat kombëtare do të na krijojë shumë probleme në të ardhmen, të cilat “do të jenë, fatkeqësisht, pika të qarta të referimit për palët pretenduese, kur do të na duhet të ulemi me ta ndofta pas disa dekadave në negociata për çështje territoriale, apo pronësie”- thotë Panariti.

Duke analizuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, Panariti thekson se LSI-ja nuk do të lejojë të zhvillohet asnjë diskutim mbi reformën zgjedhore, pa u siguruar dhe garantuar se kriminelët, oligarkët dhe strukturat e korruptuar shtetërore do të neutralizohen dhe do të shkëputen nga zgjedhjet.

“Përndryshe në Shqipëri, nuk mund të zhvillohen zgjedhje, por vetëm farsa zgjedhore”- tha Panariti.

Deputeti i LSI-së thekson se LSI-ja ka kërkuar krijimin e një fronti unik opozitar, për të frenuar arrogancën qeveritare në rëndimin e klimës së biznesit, diskriminimin e shtresave në nevojë, abuzimet me fondet, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. “Natyrshëm, ky front do të jetë edhe pararendësi i një marrëveshjeje koalicioni midis LSI-së dhe PD-së, por për këtë kërkohet kohë”- shprehet ndër të tjera deputeti Edmond Panariti.

Panariti, si e shihni programin e qeverisë, e veçanërisht atë të sektorit të bujqësisë? Ju jeni një profesor i sigurisë ushqimore, kështu që jeni njeriu më ekspert për të komentuar këtë fushë, si është situata e tregut ushqimor në Shqipëri? Sa të sigurt jemi për ato që konsumojmë?

Shqipëria është një vend i hapur ndaj lëvizjes së lirë të prodhimeve ushqimore, sepse për këtë qëllim është edhe nënshkruese e marrëveshjes së tregetisë së lirë. Lëvizja pa kufizim e prodhimeve ushqimore rrit për rrjedhoje edhe shkallën e prekshmërisë së popullatës nga prania e mundshme e ndotësve në prodhimet ushqimore. Për sa kohë që qeveria do të vazhdojë të mos e financojë sistemin e mbikqyrjes dhe të kontrollt ushqimor, duke akorduar 15 herë më pak fonde se vendet fqinj për këtë qëllim, atëherë ne nuk do të kemi kapacitete të mjaftueshme laboratorike për gjurmimin dhe zbulimin e ndotësve ushqimore. Nuk do të jemi në gjendje të shtrijmë sistemin e gjurmueshmërisë dhe të parandalimit të ndotjeve dhe infeksioneve ushqimore në gjithë territorin.

Me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, problemi më akut do të jetë çështja e sigurisë ushqimore. Në dijeninë tuaj, a ka qeveria “Rama 2” një projekt konkret për ndërtimin e një sistemi të sigurtë nga ferma në tavolinë?

Në programin qeveritar të sigurisë ushqimore mbizotëron koncepti i mbikqyrjes së tregut dhe i sipërmarrjeve ushqimore si mënyra e garantimit të ushqimeve të sigurta. Ky është koncept policor i mbikqyrjes ushqimore, por jo zgjidhja e problemit. Kjo përqasje është në kundërshtim me konceptin evropian të sigurisë ushqimore që mbështetet tek parimi “Nga ferma në Tavolinë”. Kjo do ta zhveshë sistemin nga thelbi i tij, i cili është parandalimi i ndotësve dhe i infeksioneve ushqimore, dhe jo siç kërkon të bëjë qeveria duke bërë thjesht vetëm konstatimin e tyre dhe bllokimin e segmenteve të izoluar të tregut, pa shkulur rrënjën e problemit.

Keni ndryshuar mendim në lidhje me shkrirjen e drejtorive të Ministrisë së Bujqësisë nga ai që keni mbajtur në Kuvend gjatë diskutimit të programit qeverisës?

Nëse Drejtoritë e Bujqësisë do të shkrihen, ky do të jetë një hap i madh prapa dhe do ta lërë bujqësinë, fermerët dhe bizneset bujqësore në meshirë të fatit, të pa mbrojtur nga dëmtuesit e bujqësisë, infeksionet dhe epidemitë e kafshëve, të cilat mund të prekin edhe njerëzit. Drejtoritë e Bujqësisë janë krahu ekzekutiv i Ministrisë së Bujqësisë dhe instrumenti i vetëm i saj për zbatimin e politikave të zhvillimit dhe të mbrojtjes se saj. Pa drejtoritë e Bujqësisë, Ministria kthehet në një organizatë jo qeveritare.

Pak ditë më parë, në një intervistë tuajën jeni shprehur që Kryeministri Rama mendon se AKU-ja është polici, a është kjo arsyeja e shkrirjes së kësaj Agjencie nga ana e qeverisë së re? Cili do të jetë ndikimi në terren?

AKU, është një institucion i cili përgatit dhe zbaton standartet e cilësisë dhe të sigurisë ushqimore. Ajo përpunon edhe në përshtatje të direktivave Evropiane të sigurisë ushqimore, për të ngritur sistemet dhe teknologjitë e prodhimit, të cilat parandalojnë futjen e ndotësve, kimike dhe mikrobiologjike në zinxhirin ushqimor. Ajo harton planet e monitorimit të ndotësve në prodhimet me origjinë bimore dhe shtazore dhe siguron bazën laboratorike dhe ekspertizën për zbulimin dhe vlerësimin e ndotjeve ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Për fat të keq koncepti funksional qeveritar për këtë agjenci ka degraduar në atë të një enti policor që konstaton dhe bllokon biznese ushqimore, pa u krijuar atyre kushte dhe mundësitë për ta për të qenë në treg konform standarteve të kërkuara.

Meqë jemi tek shkarkimet masive në administratën shtetërore, sa të bazuara nga ana ligjore janë ato? Kush mban përgjegjësi për faturën financiare?

Shkarkimet masive janë një dhunim i hapur i ligjit mbi statusin e nëpunësit civil, një shpërdorim i miliona eurove të akorduar nga BE-ja për ndërtimin dhe trajnimin e administratës . Çdo gjë kthehet në pikën zero, duke dëmtuar rëndë funksionet e shtetërore, duke krijuar drama të vërteta në shumë familje dhe duke mbushur edhe gjykatat me padi të ngritura nga të shkarkuarit padrejtësisht, të cilët do të fitojnë pa dyshim proceset gjyqësore duke i faturuar buxhetit të shtetit me miliona lekë dëme, të cilat do t’i hiqen rrugëve, shkollave, spitaleve. Pra, një dramë e vërtetë, për të cilat do të mbahet përgjegjësi.

Ditët e fundit është vënë re një dakortësi mes LSI-së dhe PD-së për kundërshtimin e nismave ligjore që sjell qeveria në Kuvend, por edhe shtimin e akuzave për lidhjet e qeverisë me botën e krimit të organizuar. A është koha e duhur që dy partitë e mëdha të opozitës parlamentare të bashkojnë forcat për konsolidimin e një aksion ballor, siç është thënë këto kohë, ndaj qeverisë dhe PS-së?

LSI-ja ka kërkuar krijimin e një fronti unik opozitar, për të frenuar arrogancën qeveritare në rëndimin e klimës së biznesit, diskriminimin e shtresave në nevojë, abuzimet me fondet, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Natyrshëm, ky front do të jetë edhe pararendësi i një marrëveshjeje koalicioni midis LSI-së dhe PD-së, por për këtë kërkohet kohë.

Pak javë më parë misioni ndërkombëtar i OSBE/ODIHR-it publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet e 25 qershorit, ku vihen re shqetësimet dhe akuzat e shprehura më herët nga LSI lidhur me shit-blerjen e votave, kërcënimin e administratës, përfshirjen e elementëve kriminalë në fushatë, etj. Në fakt çfarë nënkupton një raport i tillë për Shqipërinë, pasi jemi edhe në pritje të raportit të Brukselit për procesin e integrimit të vendit në BE?

Në raportin e OSBE/ODHIR-it pasqyrohen pikërisht ato që LSI-ja denoncoi fort: para, gjatë dhe në përfundim të procesit zgjedhor. Pra, përdorimin e elementeve kriminale, parave të pista dhe presionin mbi administratën shtetërore për shit/blerje të votave. Kjo ka deformuar procesin e votimit dhe për rrjedhojë edhe vullnetin popullor të shprehur në votim. Pra, qartazi mbi këtë sfond krimi, korrupsioni dhe presioni të pashembullt u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Si deputet i qarkut të Korçës, kam denoncuar dhe do të vazhdojë ta ndjekë deri ne fund, arrestimin e paligjshëm të komisionerëve dhe numëruesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nga policia e shtetit nën trysninë dhe urdhërat e pushtetit poltik. U ndërhy në mënyrë antikushtetuese në procesin e votimit në dëm të LSI-së. Ne nuk do të lejojmë të zhvillohet asnjë diskutim mbi reformën zgjedhore, pa u siguruar dhe garantuar se kriminelët, oligarkët dhe strukturat e korruptuar shtetërore do të neutralizohen dhe do të shkëputen nga zgjedhjet. Përndryshe në Shqipëri, nuk mund të zhvillohen zgjedhje, por vetëm farsa zgjedhore.

Kuvendi miratoi ligjin e ri për pakicat kombëtare, draft ky i kundërshtuar me forcë nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, por edhe nga grupi parlamentar i LSI-së. Si ish-kreu i diplomacisë shqiptare, në fakt si ju duket ky ligj? A kishte ardhur koha për rishikimin e minoriteteve në Shqipëri? A pritet të ketë ndonjë ndikim në raportin e marrëdhënieve tona me vendet fqinje?

Shumica parlamentare për fat të keq u ngut të ratifikojë konventën europiane të pakicave dhe të miratojë edhe ligjin e pakicave kombëtare, duke anashkaluar dhe shpërfillur mendimin akademik të historianëve, gjuhëtarëve, albanologëve në këtë drejtim. Padyshim, pakicat kombëtare janë dhe duhen konsideruar një pasuri kombëtare, për sa kohë ato përfaqësojnë entitete me identitet etno-gjuhësor kulturor dhe demografik të spikatur. Por, nëse grupimeve, komuniteteve, apo shoqatave u njihen atribute të cilat ata nuk i kanë, atëherë ne shtojmë artificialisht shkallën e heterogjenitetit të popullit shqiptar, duke ndikuar drejtpërdrejtë në censusin e popullsisë. Ende nuk ka një arsyetim të bazuar dhe të mbështetur shkencërisht nga institucionet përkatëse për shtimin e një grupi të pakicës kombëtare mbi atë të grupimeve ekzistuese, dhe po ashtu, nuk ka përcaktime të mirëjustifikuara dhe mjaft evazive për karakterizimin e grupeve të tjera të pakicave kombëtare. Përshembull: ka përcaktime të tilla si grupimi vllaho/arumun/aremenj, apo grupimi serbo/malazez, të cilat krijojnë shumë paqartësi dhe konfuzion. Për këtë arsye, shumë vende, madje edhe anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë ratifikuar konventën kuadër të BE për pakicat, sepse janë të ndërgjegjshëm për aspektet shumë delikate të historisë, demografisë dhe sovranitetit kombëtar që ndërthuren në të. Ky ligj do të na krijojë shumë probleme në të ardhmen, të cilat do të jenë, fatkeqësisht, pika të qarta të referimit për palët pretenduese, kur do të na duhet të ulemi me ta ndofta pas disa dekadave në negociata për çështje territoriale, apo pronësie. Shkurt,  tani që u ngulën padrejtësisht disa gozhda në muret e kombit, të mos habitemi që nesër dikush do të kërkojë të varë mbi to xhaketat e tij.

SHKARKO APP