Paloka: ”Deputetët e PS-së nuk e kanë idenë çfarë përmbajnë ndryshimet kushtetuese”

Flet për “Koha Jonë”, Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka: Besoj te integriteti i deputetëve të PD-së, nuk do shesin votën

Intervistoi: Redjon Shtylla

I vetmi kusht që reforma në drejtësi të ketë votat e pablera të demokratëve është rekomandimi “88” i Komisionit të Venecias dhe opozita shprehet se nuk ka asnjë kusht tjetër. Kështu ka theksuar nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka gjatë një intervistë për “Koha Jonë”. Paloka nënvizon se vetëm me konsensus arrihet miratimi i reformës dhe se çdo formë apo mënyrë tjetër do të jetë shkatërruese për një ndryshim që shqiptarët e presin. I pyetur nëse në ditën e votimit, do të shohim surpriza, e këtu fjala është për ato vota të deputetëve demokratë që të përmbushin numrin e duhur prej 94 votash të nevojshme për miratimin e draftit, nënkryetari i PD-së komenton se: “Kjo maxhorancë nuk i ka votat, e në këto kushte futja për votim do tregonte thjesht synimin për ta dështuar reformën”. E ndërsa për grupin e tij, Paloka pohon se ka besimin në integritetin e gjithë deputetëve të PD-së.  Ndërsa për ndryshimet kushtetuese, deputeti demokrat shprehet se as deputetët e maxhorancës nuk e kanë idenë se çfarë përmbajnë ndryshimet kushtetuese.

Z.Paloka, në seancën e fundit, ish-Kryeministri Berisha dhe znj.Topalli pohuan se nuk janë dakord që pjesë e draftit të Reformës, për disa procese të ndryshme të përfshihet dhe vendimi i ndërkombëtarëve. Këto qëndrime janë pjesë e grupit parlamentar dhe mund të cilësohen si kushte të reja?

Qëndrimi i PD-së për reformën në drejtësi është bërë i qartë mëse njëherë. Ne nuk kemi kushte dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë, e sigurisht as më pak se ajo që ofrojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Me këtë qëndrim PD-ja ka dalë që në fillimet e reformës, atëherë kur Rama e kishte përjashtuar tërësisht opozitën nga procesi. Me këtë qëndrim e këmbëngulje PD-ja arriti ta drejtojë këtë reformë duke sjellë ndryshimet që më pas morën vulën e Venecias. Sot kemi mbërritur në një pikë të vetme që kundërshtohet nga Rama, një pikë për të cilën ne përsëri kërkojmë të zbatohet një rekomandim i Komisionit të Venecias, rekomandimi “88”. Rama thotë prerë “JO”. Kjo sepse nëse zbatohet ai rekomandim, Rama nuk do të mund të vendosë vetë për gjithçka, siç parashikon drafti i tij. Dhe Ramës nuk i duhet një drejtësi që të jap drejtësi. Ramës i duhet drejtësia që ta kontrollojë ai me arrogancën që drejton gjithë pushtetet e tjera, që tanimë i ka kapur. Rama ka treguar me prova se për të drejtësia funksionon kur mbron e liron deputetë e fëmijë deputetësh, vrasës që janë në pellgun e qelbur të kënetës së rilindjes, funksionon kur liron kryetare bashkie, përdhunues e falsifikatorë, funksionon kur liron ata që shkelin ligj e Kushtetutë duke përgjuar këdo, funksionon edhe kur dënon opozitën për fjalën e lire dhe nuk funksionon e duhet reformuar nëse bën të kundërtën. E pra një qenie të tillë ne nuk mund të lejojmë që të kapë dhe drejtësinë. Për këtë arsye këmbëngulim dhe nuk do tërhiqemi nga zbatimi pa asnjë devijim i rekomandimit “88”. Rama që luan rolin e flamurtarit të reformës duhet vetëm të pranojë këtë rekomandim të Komisionit të Venecias dhe reforma votohet që nesër.

Ka një pozicion të vështirë PD-ja ndaj Ambasadës së SHBA? Kjo është vërejtur, kur kjo e fundit doli hapur kur tha se opozita nuk është fleksible. Mendoni që PD-ja është në ditët më të këqija, në raport me SHBA?

Përkundrazi, PD-ja është mirënjohëse ndaj aleatëve sepse me ndihmën e tyre të padiskutueshme, u realizua ligji për dekriminalizimin dhe të gjitha ndryshimet në draftin e reformës në drejtësi. Janë po këta partnerë që nga Uashingtoni deri në Bruksel e Berlin, që po i përsërisin Ramës se pakonsensusin e opozitës nuk mund të ketë reformë të mirëqenë në drejtësi, e për këtë i duhet vetëm të pranojë rekomandimin “88” të Venecias.

Votimi në seancë plenare sipas parashikimeve, mund të ndodhë në datën 21 korrik. Nëse deri më atëherë, nuk arrihet konsensusi dhe gjuha e përbashkët, opozitë-maxhorancë, mund të presin një votim që mund të sjell surpriza?

Pa konsensus reforma është e destinuar të dështojë dhe futja e saj në votim do të thotë mbyllje, të paktën për këtë Parlament, e kësaj çështjeje. Kjo maxhorancë nuk i ka votat, e në këto kushte futja për votim do tregonte thjesht synimin për ta dështuar reformën.

Sa e ndershme është që të bëhet një reformë në drejtësi me vota të “trafikuara”, nëse deputetë demokratë “shesin votën”?

Sa për trafikim votash, unë kam besim në integritetin e gjithë deputetëve të PD-së. Tentativat e Ramës, janë jo vetëm janë të neveritshme, por siç e keni ndjekur dhe të dënueshme nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Thirrjet drejtuar ndërgjegjes dhe moralit të deputetëve të veçantë, me siguri do sjellin në Parlament dhe një herë votën e Prengës, por nuk besoj se kjo do ishte vota e duhur për një reformë të qenësishme në drejtësi.

Nëse opozita nuk gjen konsensus me maxhorancës, a duhet të ndiqet metoda e Britanisë, me referendum që të vendos populli? A mendoni se do të jetë më e ndershme?

Referendumet nuk përdoren për raste të tilla dhe këtë Rama mund të mos e dijë si profan që është, po ata juristë që ka rrotull e dinë. Referendumet përdoren pikërisht për raste si ai i Britanisë, kur popullit i shtrohet një pyetje e thjeshtë, të cilës i përgjigjet me po ose jo. Po nuk mund të hidhen në referendum dhjetëra ndryshime kushtetuese dhe ligje që i bashkëshoqërojnë. Unë jam i bindur që as deputetët e maxhorancës nuk e kanë idenë se çfarë përmbajnë ndryshimet kushtetuese. Çfarë janë; KLGJ-ja, KLP-ja e dhjetëra institucione të tjera, që figurojnë me iniciale në draft. Atëherë si do e pyesësh qytetarin të japë vendimin e tij?! Pyetjes a duan reformë në drejtësi shqiptarët i janë përgjigjur dhe nuk ka palë që nuk është dakord për nevojën e kësaj reforme, po çfarë reforme? A duan shqiptarët një drejtësi të kapur nga Rama apo të pavarur? E duan me dhjetë apo gjashtë institucione. Pra përdorimi i referendumit si argument është vetëm një bllof. Nëse Rama nuk do pranojë ta bëjë reformën tani, atëherë atë do ta bëj Parlamenti i ardhshëm.

Pas daljes së Britanisë nga BE-ja, shumë zëra kanë pohuar se Bashkimi Europian është drejt shkatërrimit. Shqipëria si kandidate për t’u anëtarësuar, në gjykimin tuaj, a është një moment i duhur për anëtarësimin tonë?

PD e sheh integrimin e Shqipërisë në BE si synimin e saj madhor dhe asgjë nuk e ndryshon këtë synim.

Dekriminalizimi nuk po gjen terren sepse edhe në ato raste të publikuara si  kriminel, asnjë prej tyre sot nuk ju është hedhur mandati apo të jetë ndjekur penalisht. A doli “bllof”, opozita me këtë ligj?

Ligji i dekriminalizimit i ka dhënë efektet e tij, ende pa u miratuar. I dha në momentet e vetëdeklarimit, e ju kujtoj dhjetëra raste që pranuan në heshtje largimin nga postet duke mos plotësuar formularët apo ata që Rama i largoi nga postet në administrate, për t’i bërë kryetarë partie. Po i jep dhe tani, pas miratimit, pavarësisht përpjekjeve të Ramës për të mbrojtur të inkriminuarit e tij në Parlament, pushtet lokal apo administratë. Ligji po vepron dhe do të veprojë me forcë ndaj të gjithë atyre që sot me mbështetjen e Ramës po përpiqen t’i shmangen, por këta do përgjigjen dyfish para ligjit, jo vetëm për çfarë kanë bërë në të shkuarën si trafikantë, vrasës apo përdhunues, por dhe për fshehjen dhe falsifikimet e të vërtetave për të cilat ne zotërojmë dokumente. Këta të fundit do të përfundojnë në biruca përsëri, siç e parashikon ky ligj, dhe këtë herë me siguri do e mbajnë mend.

 

SHKARKO APP