Paloka për protestën e 18 dhjetorit: Berisha nuk e donte, shumica jonë e kërkoi. Ja çfarë pritet

Sot grupi i PD-së së Berishës vendosi për protesta popullore. Edi Paloka thotë se ish-kryeministri nuk ka qenë dakord për një aksion të tillë këto ditë, pasi nuk do që të lidhet me emrin e tij. Ai thotë se kryeministri Edi Rama kërkon të kontrollojë edhe mandatet e deputetëve të opozitës, prandaj protestat janë të domosdoshme.

“Ka qenë e kundërta, ka qenë zoti Berisha që nuk ka dashur të zhvillohet protesta këto ditë sepse mund të lidhej me emrin e tij personal. Është një thënie e tij që u kundërshtua nga shumica jonë edhe në mbledhjen e grupit, aty nuk bëhet fjalë për Sali Berishën si individ. E gjithë kjo ka dy vjet që kjo strategji është drejtuar ndaj liderit të opozitës dhe po bëhet çdo lloj ndërmarrje me qëllim që opozitës dhe gjithë të drejtave që janë shkelur, t’i heqin dhe liderin e saj. Pra, nuk kemi të bëjmë fare me një kërkesë për heqje imuniteti ndaj një deputeti, por me një sulm të organizuar më së miri nga kryeministri Edi Rama dhe gjithë instrumentat që ai kontrollon, përfshirë këtu SPAK dhe organet e saj. U ra dakord që do ketë protestë edhe të hënën, edhe të enjten”,-tha Paloka.

I pyetur për mënyrën e organizimit të protestave, Paloka u shpreh se do organizohen me strukturat, por thekson se protesta është për të gjithë shqiptarët. ”Prandaj nuk duhet të presim! Mos prisni t’u vijë e keqja te dera e shtëpisë tuaj dhe të reagoni, se do jetë vonë. Ky është një regjim diktatorial, nuk ka fjalë më”- theksoi Paloka.

SHKARKO APP