Panairi në Fier, zv.kryeministrja Balluku: 800 pozicione pune nga ndërtimi në hoteleri-turizëm

Zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Panairin e Punës dhe Aftësive, që u çel sot në sheshin kryesor të qytetit të Fierit. 50 kompani rajonale që operojnë në fusha të ndryshme, pjesëmarrëse në panair, ofruan 1800 vende të lira pune, duke zgjuar interesin e qindra qytetarëve të të gjitha moshave.
Balluku tha se punësimi dhe kualifikimi i punonjësve, mbetet një prioritet, për të cilin po punohet ngushtësisht edhe me kompani të cilat kanë nevojë për punonjës. ”Është një ditë e rëndësishme në Fier, pasi Agjencia e Kombëtare e Punësimit ka organizuar një ndër panairet e punës më të suksesshëm në të gjithë Shqipërinë. Nga pjesëmarrja duket që ka shumë djem e vajza të interesuar për vendet e punës. Janë shpallur 1800 pozicione pune nga më shumë se 50 kompani rajonale që operojnë në fusha të ndryshme, kemi parë në ndërtim, linja prodhimi, arsim dhe hoteleri turizëm”, u shpreh Balluku.
Balluku shton se vetë ata që kërkojnë punë janë pak skeptikë dhe dyshues sa i përket aftësisë së një panairi për t’i punësuar. ”Nga bisedat që kemi zhvilluar me kompanitë pjesëmarrëse, kemi kuptuar se oferta është e vërtetë dhe të gjitha kontaktet që janë vendosur mes të interesuarve dhe përfaqësuesve të kompanisë, do kalojnë në fazë intervistimi, për të konkluduar më pas me kontratat dhe përmbushjen e kushtet”, tha Balluku.