Panariti: Vetëm republikat e bananeve dhe qeveritë e papërgjegjshme, qëndrojnë pasive ndaj pandemisë
Nga Edmond Panariti
Vetëm republikat e bananeve dhe qeveritë e papërgjegjshme, qëndrojnë pasive ndaj pandemisë.
Po bëhen tre muaj që Gjermania, Franca, Italia, Holanda në Evropë kanë nënshkruar me Astra Zeneca, kontratë për 300 milion dozë vaksina anticovid për të mbrojtur popujt e tyre.
Amerika Rusia dhe Kina, i kanë tashmë vaksinat e tyre në finale.
Deri edhe Australia e largët ka siguruar stokun vaksinal anti covid për popullin e saj, falas.
Pavarësisht se vaksina ndodhet ende në fazë eksperimentale.. shumë vënde të tjera po i mbyllin me shpejtësi kontratat .
Vetëm republikat e bananeve, rrinë dhe vështrojnë se mbase do të ngelet diçka edhe për ta, kur të mbarojë dreka e të mëdhenjve.
Gara se kush do të vaksinohet i pari dhe sa më parë ka shumë kuptim.
Historitë e infeksioneve pandemike virale dëshmojnë se ato mposhten vetëm me vaksinim.
E si mund të harrohet, virusi i poliomielitit i cili vrau dhe paralizoi me miliona njerëz në të gjithë botën..
Si u mposht?
Vetëm me vaksinë!
Sa herë që ndërpritet vaksina dhe thyhet imuniteti vaksinal, hop shfaqet dhe na godet dhe na vret.. Siç ndodhi edhe te ne kur na u rishfaq agresiv në 1998.
Besoj ju kujtohet!
Nuk ka vend në botë ku ende sot të mos i shohësh gjurmët e poliomielitit te njerëz të mbijetuar, por të paralizuar.
Është tmerr, por një realitet që na tregon se çfarë pritet të na ndodhë pa vaksinim.
Si u luftua, fruthi, difteria, kolla e bardhë, pneumokoku i mushkërive e shumë infeksione epidemike dhe pandemike të cilat vranë së bashku dhjetra herë më shumë njerëz se sa të gjithë luftërat e njerëzimit bashkë.? Me çfarë?
Vetëm me vaksina.
Prandaj të qëndrosh pasiv dhe të mos veprosh në një situatë pandemie e cila ka dalë jashtë kontrollit dhe mund të përkeqësohet është e pafalëshme.