Paralajmërim për shkarkime masive të drejtorëve në bashkitë Fier dhe Durrës

Pas Vlorës, kryeministri vijon aksionin kombëtar për lirimin e hapësirave publike. Largime në grup paralajmërohen edhe në Fier dhe Durrës.

Aksioni i nisur nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike po trondit administratën lokale në disa bashki të vendit. Pas ndërhyrjes së fortë në Vlorë, ku u larguan 21 drejtorë, kreu i qeverisë ka zbarkuar me tone të ashpra edhe në Fier dhe Durrës, ku ka kërkuar dorëheqjen kolektive të drejtuesve lokalë dhe rajonalë që, sipas tij, nuk kanë përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve.

Në takimet e zhvilluara me drejtues institucionesh, deputetë të qarqeve dhe drejtorë rajonalë, Rama ka qenë i prerë dhe kritik për zaptimin e hapësirave publike, neglizhencën ndaj pastrimit të qyteteve dhe mungesën e respektit ndaj komunitetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ata na kanë vlerësuar me votë. Ky besim duhet përkthyer në punë konkrete dhe respekt për qytetarët,” – mësohet të ketë thënë Rama në takimin me drejtuesit e Fierit, një qark që në zgjedhjet e 11 majit i dha PS-së 12 mandate deputetësh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas burimeve nga brenda mbledhjes, kryeministri ka kërkuar lirim të menjëhershëm të trotuareve dhe hapësirave publike të zëna nga biznese apo ndërtimtarë informalë, duke theksuar se asnjë nuk do të tolerohet për shkak të “neglizhencës sistematike” që, sipas tij, po dëmton jetesën urbane dhe cilësinë e shërbimeve publike.

Rama i quajti drejtuesit që nuk reagojnë ndaj zaptimeve si bashkëfajtorë, dhe paralajmëroi se largimet do të jenë në grup, në varësi të performancës dhe rezultateve konkrete në terren.

“Kërkohen energji të reja dhe një qasje më dinamike. Kush nuk e përballon këtë ritëm, duhet të hapë rrugë,” – deklaroi ai, teksa udhëtonte drejt Fierit, duke konfirmuar se aksioni do të shtrihet në të gjitha bashkitë.

Fierit dhe Durrësit pritet t’u bashkohen edhe bashki të tjera në ditët në vijim, në një valë të gjerë pastrimi institucional, ku fokus kryesor mbetet çlirimi i hapësirës publike dhe rikthimi i kontrollit urbanistik nga autoritetet vendore.

Ky është një prej operacioneve më të forta të ndërmarra nga qeveria në dekadat e fundit për ndëshkimin e paaftësisë administrative dhe për të rritur përgjegjshmërinë në nivel lokal.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?