Parlamenti shpërndahet më 4 maj, ja diskutimet Meta-Ruçi për zgjedhjen e presidentit të ri – Procesverbali

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk po e zgjedhin dot presidentin e ri të vendit, ndërkohë këtë të enjte do të ezaurohet edhe raundi i tretë, ndërsa nuk ka akoma një emër që mund të marrë drejtimin e Presidencës.

“Koha Jonë” zbardh diskutimet e plota që janë bërë në Konferencën e Kryetarëve më 19 prill, sa i takon djegies së raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit.

Në mbledhje ka pasur diskutime mes kreut të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ku janë bërë të qarta afatet dhe planet e mazhorancës për Presidentin e ri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ajo që është deklaruar nga Ruçi, është fakti se në datat 3 apo 4 maj mund të ndodhë shpërndarja e Parlamentit. Ndërkohë që është hedhur si ide dhe mundësia për të djegur të gjitha raundet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Fillimisht, Ruçi ka parashtruar fakte kushtetuese për shpërndarjen e Parlamentit, ku thuhet se kjo ndodh jo më parë se 45 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Duhet ta lidhim me këtë kërkesë të Kushtetutës dhe të vendosim datën maksimale 18 majin. Të njëjtën gjë thotë dhe Kodi Zgjedhor, ku Kuvendi shpërndahet 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve, jo më parë. Jo më herët se 45 ditë, atëherë data i takon të jetë ose 3 ose 4 maj, është e diskutueshme. Pavarësisht se ne nuk caktojmë sot ditën e fundit, edhe unë nisem dhe i referohem kësaj date. Po t’i shohësh datat, ato janë shumë të ngjeshura. Në të gjitha rastet data pasardhëse duhet të vendoset brenda kësaj jave. E bëjmë të enjten apo të premten, kjo është çështje tjetër pastaj. Unë e bëra kështu: 21, 24, 28 prill, 3 ose 4 maj”, ka deklaruar Ruçi.

Nga ana tjetër, ai ka parashtruar dhe mundësinë e moszgjedhjes së Presidentit, duke treguar afatet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, edhe pse me dështimin e djeshëm të negociatave kjo është pamundur.

“Nëse kjo Konferencë cakton datën pasardhëse, unë tani duke u ulur e duke parë kalendarin e punimeve të Kuvendit e lidh me datën e fundit kur mbaron ky proces, ose me atë kërkesë që ka Kushtetuta, si për shpërndarjen e Parlamentit jo më parë se 45 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve, por edhe në rastin e moszgjedhjes së Presidentit. Kushtetuta ka një afat dhe kur kandidati nuk siguron shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij”, ka deklaruar më tej Ruçi. /Herion Mesi

Procesverbali i plotë i mbledhjes së kryetarëve të grupeve dhe komisioneve parlamentare

Rendi i ditës: 1. Përcaktimi i datës së raundit të dytë të votimit për Presidentin e Republikës së Shqipërisë. 2. Caktimi i afatit të shqyrtimit të kandidaturës nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Ilir Meta – Fillojmë këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, me përcaktimin e datës së raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Si e mendoni për seancën e radhës, për votimin e dytë?

Spartak Braho – Mendoj që të jetë të njëjtën ditës si raundi i parë i votimit.

Ilir Meta – Si datë për zhvillimin e raundit të dytë?.

Gramoz Ruçi – Nëse kjo Konferencë cakton datën pasardhëse, unë tani duke u ulur e duke parë kalendarin e punimeve të Kuvendit e lidh me datën e fundit kur mbaron ky proces, ose me atë kërkesë që ka Kushtetuta, si për shpërndarjen e Parlamentit jo më parë se 45 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve, por edhe në rastin e mos zgjedhjes së Presidentit. Kushtetuta ka një afat dhe kur kandidati nuk siguron shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij. Duhet ta lidhim me këtë kërkesë të Kushtetutës dhe të vendosim datën maksimale 18 maj. Të njëjtën gjë thotë dhe Kodi Zgjedhor, ku Kuvendi shpërndahet 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve, jo më parë. Jo më herët së 45 ditë, atëherë data i takon të jetë ose 3 ose 4 maj, është e diskutueshme. Pavarësisht se ne nuk caktojmë sot ditën e fundit, edhe unë nisem dhe i referohem kësaj date. Po t’i shohësh datat, ato janë shumë të ngjeshura. Në të gjitha rastet data pasardhëse duhet të vendoset brenda kësaj jave. E bëjmë të enjten apo të premten kjo është çështje tjetër pastaj. Unë e bëra kështu: 21, 24,28 prill, 3 ose 4 maj.

Mesila Doda – Ne mund ta caktojmë raundin tjetër edhe brenda ditës, sepse Kushtetuta thotë “brenda 7 ditëve” dhe kjo nënkupton çdo kohë brenda këtij afati. Mjafton që të zhvillohen raundet sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Ilir Meta – Atëherë e lëmë për të enjten, pra nesër dhe më pas e gjykojmë përsëri. Nesër seanca është në orën 10.00 dhe sapo të mbarojmë, në orën 15.00 fillojmë seancën për Presidentin. Komisioni i Ligjeve të mblidhet në orën 13.00 për të shqyrtuar kandidaturën, nëse ka. Në orën 14.00 të paraqesë raportin për seancën plenare. Atëherë nesër në 10.00 seanca e zakonshme dhe në 15.00 seanca e posaçme për raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

MBLEDHJA MBYLLET

Votimi i presidentit

Të enjten, në orën 15.00, Parlamenti do të zhvillojë raundin e tretë të presidentit, pasi dy raundet e para u dogjën. Vendimi u mor në Konferencën e Kryetarëve, ndërsa dhe këtë të enjte pritet që të mos ketë asnjë kandidat. Ditën e hënë në mbledhje grupi, Gramoz Ruçi  ua bëri të ditur deputetëve socialistë se dhe ky raund do të digjet, pasi mazhoranca do të presë Partinë Demokratike. Por nëse opozita nuk pranon të bëhet pjesë e këtij projekti, atëherë me shumë gjasë emri i ri do të zgjidhet javën që vjen. Edhe pse në Konferencën e Kryetarëve është diskutuar mundësia e djegies së të gjitha raundeve, shanset janë të pakta. Pak ditë më parë, vetë Ilir Meta e hodhi poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?