Partitë dy javë fushatë për zgjedhjet në Kukës. Basha bën thirrje për bashkim të demokratëve: Një kandidat
Për zgjedhjet e reja në bashkinë e Kukësit, që do të mbahet më 24 shtator, socialistët ndonëse ende jo zyrtarisht, do të fusin në garë prefektin e qarkut, Albert Halilaj, ndërsa opozita me shumë mundësi do të jetë sërish e përçarë me dy kandidatë në garë, një të Berishës e një të Bashës.
Edhe në këtë proces elektoral KQZ kërkon nga institucionet vendore në Bashkinë e Kukësit por edhe ato qendrore në Tiranë të raportojnë veprimtaritë e tyre publike. Për organizimin e këtyre zgjedhje Komisioni Qendror ka rreth 40 ditë kohë, ndërsa partitë politike do të kenë në dispozicion dy javë për të zhvilluar fushatën elektorale për këtë bashki. Koha në dispozicion duket e pakët, por vëmendje të veçantë pritet të kenë kandidatët në garë.
Lulzim Basha ka tentuar për herë të parë bashkëpunimin me të gjithë demokratët, përfshi ata që nuk e njohin si kryetar të PD për zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Kukësit. Nëpërmjet një deklarate të PD-së në Kukës, Basha ka ftuar të gjithë demokratët të garojnë me një kandidat ne zgjedhjet për këtë bashki në 24 shtator.
“Partia Demokratike apelon për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar”, ka deklaruar dega e PD-së në Kukës.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkon që partia e saj të dalë me një kandidatë në zgjedhjet e parakohshme në Kukës, dhe jo që çdo grup në PD të dalë me një kandidat. Për të oferta e një kandidati të përbashkët, është më e mirë sesa disa oferta nga një opozitë me copa. “Gabimet e së shkuarës duhet të na bëjnë të mësojmë! Degradimi i qeverisjes lokale sidomos asaj në Kukës është një mundësi reale për një kandidat që përfaqëson më së miri vlerat e së djathtës”,-shkruan Tabaku.